Rekomandimi i KE, Shqipëria një vend më tërheqës për investimet e huaja direkte

TIRANE, 22 Prill/ATSH/- Hapja e negociatave për anëtarësimin e Shqipërinë në Bashkimin Europian, hap ky që pritet të ndërmerret nga Këshilli i Europës, në muajin qershor përbën një moment të rëndësishëm për ekonominë shqiptare në tërësi dhe biznesin vendas.

Eksperti i i Ekonomisë, ish ministri i Financave Arben Malaj, në një intervistë për ATSH-në e konsideron rekomandimin e dhënë nga Komisioni Europian për çeljen e negociatave një lajm të mirë për të gjithë shqiptarët, ndërsa apelon që në mënyrë që të eliminohet çdo risk në muajin qershor duhet që opozita, mazhoranca dhe faktorët e tjerë social e politik të bashkëpunojnë shumë fort.

Për biznesin shqiptar, ai thotë se është një moment historik për faktin se ai zhvillohet kur ka hapësira më të mëdha.

“Sidomos për vendet e vogla, mundësia për t’u zhvilluar duke u bërë pjesë e komuniteteve tregtare dhe ekonomike më të mëdha (BE është blloku ekonomik më i madhi në botë aktualisht) është e madhe. Me marrëveshjet e arritura që nga viti 2013 duke nisur me marrëveshjen e Asociim-Stabilizimit është synuar që ekonomia shqiptare të ketë më shumë lehtësi për t’u futur në tregjet europiane. Ky do të jetë dhe përfitimi kryesor”, shpjegon Malaj gjatë prononcimit të tij për ATSH.

Nga ana tjetër, sugjeron ai, qeveria duhet të ketë një fokus të veçantë për të ndihmuar biznesin që të përfitojë nga ky treg më i madh, (504 milion me gjithë Britaninë brenda).

Por, shton Malaj, duhet të kemi parasysh se është një treg i madh, i hapur dhe shumë konkurrues.

Kështu, sipas tij, ne duhet të punojmë për të zbutur defiçitin tonë tregtar, të ndihmojmë ekonominë shqiptare të rritet me ritme më të larta, më të shpejta e të qëndrueshme.

Duhet thotë ai, që biznesi ynë të jetë konkurrues. “Sa herë që futesh në një bllok tregtar që është më i zhvilluar se ty, biznesi ka një kosto shtesë, për respektimin e rregullave të ambientit, të punës, apo të përdorimit të teknologjive të reja”, nënvizon Malaj për ATSH.

Për Malaj, përfitimet reale të këtij procesi për biznesin vendas do të duken nga shkalla e absorbimit të fondeve të Bashkimit Europian, për politikat që lejojnë rritjen e punësimit dhe përshtatjen e modernizimin e sektorëve të ndryshëm të ekonomisë.

“Për Shqipërinë ka rëndësi jetike, sidomos sektori i bujqësisë, i cili prodhon rreth 18-20% të GDP-së, por që është në kushte konkurrence shumë të ulët”, u shpreh Malaj.

Lidhur me ekonominë në tërësi, sipas Malajt, procesi i negociatave nënkupton një negocim në detaje të 35 kapitujve të përafrimit të legjislacionit shqiptar me atë të BE-së.

Dhe ky proces përafrimi kalon me të 28 vendet anëtare dhe çdo vend anëtar, shprehet Malaj, mund të ketë shqetësimet e tij që i vijnë nga biznesi vendas, lidhur me politikat e prokurimit, mbikëqyrjes, tregjet financiare, ato bankare, etj.

“Ne fitojmë nga çelja e negociatave edhe për shkak se ekonomia shqiptare tregon se gjithnjë e më tepër po përafrohet në bazën ligjore pastaj vjen baza institucionale, si funksionon administrata e në fund cila është performanca e tyre”, shpjegon Malaj.

Çka do të thotë, vijon ai, se ne bëhemi një vend më tërheqës për investimet e huaja direkte, të cilat më shumë se ndikimi i hyrjes së valutës së huaj, kanë avantazh sjelljen në vendin tonë të teknologjive më të avancuara dhe ndërmjet tyre ato krijojnë një ndikim pozitiv që e gjithë ekonomia të modernizohet dhe të bëhet më shumë konkurruese.

Përfitimet të tjera, thotë ai, vijnë në fushën e demokracisë, në fushën ekonomisë dhe zhvillimin e shtetit si një i tërë.

Ndërsa lidhur me faktin se a është sipërmarrja shqiptare e gatshme për të qënë pjesë e tregjeve europiane, Malaj thotë se çelja e negociatave nuk e teston për herë të parë sipërmarrjen tonë n raport me BE-në.

Ekspertët e politikave tregtare mund të vërtetojnë me shifra, bën të ditur Malaj se raporti i eksporteve me importet ose shkalla e mbulimit të importeve nga eksportet është rritur.

“Kemi arritur në një nivel që shkon në rreth 48-50%. Defiçiti është i madh, por duhet të kemi parasysh që ka qenë jashtëzakonisht i madh dhe ne kemi mbijetuar me lekët që kanë dërguar shqiptarët nga jashtë dhe me kreditë e marra. Në këtë rast, e ritheksoj se duhet të ketë politika mbështetës për biznesin”, deklaroi Malaj.

Në sektorin e bujqësisë është IPARD-i ndërsa në sektorin e SME-ve ka linja kreditimi të buta dhe fonde grande që ndihmojnë këtë sektor të modernizohet.

“Unë mendoj se ne do të ndjekim trendin e vendeve të tjera dhe do të kemi efekte pozitive në ekonominë shqiptare dhe do të kemi efekte pozitive edhe për biznesin shqiptar, duke i përdorur më mirë akseset në politikat e reja dhe fondet e BE-së për vendet kandidate”, thotë ai.
/a.gjonaj/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.