Ballina Aktualitet

Zvicra, mbështetje zhvillimit të arsimit profesional në Shqipëri

TIRANË, 20 prill /ATSH-Maela Marini/ – Zvicra do të mbështesë zhvillimin e arsimit profesional në Shqipëri, deklaroi të premten ambasadori i Zvicrës në Tiranë, Christoph Graf.

I pranishëm në çeljen e edicionit të 3-të të “Panairit të aftësive 2018” në Tiranë, ambasadori Graf solli shembullin e suksesshëm të Zvicrës, ku 2/3 e të rinjve vendosin të ndjekin arsimin profesional.

“Në vend tim të gjithë besojmë te arsimi profesional, pasi të gjithëve na nevojiten ekspertë në IT, design, apo rrobaqepës. Arsimi profesional është premtues dhe ai duhet t’i përshtatet nevojave të punëdhënësve, ndaj dhe në Zvicër menaxhohet si partneritet publik-privat”, tha ambasadori, duke theksuar se “ky është edhe fakti se Zvicra ka një nivel të lartë punësimi te të rinjtë.”

Sipas ambasadorit, në Shqipëri ka ende shumë punë për t’u bërë. “Shkollat profesionale duhet të punojnë bashkë me bizneset për t’i përshtatur me sektorin privat dhe tregun e punës”, tha ai.

Ambasadori zviceran vlerësoi përpjekjet serioze të qeverisë shqiptare për të angazhuar të rinjtë në arsimin profesional. “Sfidat që kemi përpara janë të shumta, ndaj Zvicra do të mbetet e angazhuar për të vazhduar mbështetjen për arsimin profesional”, tha ai.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakAktivite në kuadër të muajit të Ndërgjegjësimit për Autizmin
Artikulli tjetërTVSH për biznesin e vogël, tatimet informuan mbi 68% të subjekteve