TIRANË, 20 prill/ATSH/-A doni të merrni pjesë në praktikën e parlamentit gjerman apo keni dashur gjithmonë të takonit të paktën një herë në jetën tuaj Kancelaren gjermane, Angela Merkel?
Me ndihmën e Bursës Ndërkombëtare Parlamentare të Bundestagut (IPS), ju mund të ndiqni nga afër aktivitetet e përditshme të parlamentit gjerman përgjatë pesë muajve.
Ledia Lila dhe Kristi Vako janë dy nga të rinjtë shqiptarë që kanë fituar bursë 5-mujore duke përftiuar kështu nga kultura gjermane e punës por jo vetëm.
Por, si e përshkruajnë përvojën e tyre dy ish-bursantët?
Ledia Lila ka thënë se për të, kjo eksperiencë e paharrueshme ka shërbyer për ta sjellë më pas në vendin amë, pra në Shqipëri. “Për mua, programi IPS do të jetë pa dyshim një eksperiencë e paharrueshme. Edhe mua mu dha mundësia të përjetoj nga afër proceset e punës të Bundestagut gjerman. Njohurinë dhe përvojën e fituar në këtë program unë e kam sjellë në vendin tim.”
Ndërsa për Kristi Vako, pas kësaj praktike, pikëpamja e tij për politikën dhe vendimmarrjen ka ndryshuar plotësisht.
“IPS më ka mësuar, se të rinjtë janë një forcë e domosdoshme, për të ndërtuar një të ardhme më të mirë si dhe për të ngritur ura komunikimi ndërmjet vendeve të ndryshme. Pjesëmarrja në këtë program ka qenë një përvojë e paharrueshme dhe shumë e vlefshme, e cila ka ndryshuar plotësisht pikëpamjen time për politikën dhe vendimmarrjen”.
z.tosku/ /a.g/


























