MOSKË, 20 prill /ATSH-AFP/ – Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë ruse, Valéri Guerassimov dhe komandanti i Forcave të NATO-s në Europë, Curtis Scaparrotti u shprehën për vijimin e kontakteve ushtarake dypalëshe, gjatë një takimi të pazakontë që u mbajt dje në Baku, Azerbajxhan.
”Dy drejtuesit e lartë përmendën veprimtarinë ushtarake të NATO-s dhe të Rusisë në Europë dhe masat që duhen marrë për të rritur besimin dhe shmangur incidentet’’, njoftoi Ministria ruse e Mbrojtjes në një deklaratë.
”Ata shkëmbyen mendime rreth situatës në Siri duke theksuar rëndësinë e një bashkëpunimi në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar”, sipas së njëjtit burim.
‘’Takimi shfaqi një interes të ndërsjelltë për të ruajtur linjat e kontaktit ushtarak, në përputhje me politikën e NATO-s të dialogut dhe transparencës’’, bëri të ditur nga ana e saj Aleanca e Atlantikut.
Gjenerali Valéri Guerassimov është takuar edhe më parë në Baku në vitin 2016 me shefin e Shtabit të Përgjithshëm amerikan, Joe Dunford. Të dy kishin rënë dakort në atë kohë për të forcuar komunikimin midis dy ushtrive.
SHBA-ja dhe Rusia zotërojnë tashmë një linjë të komunikimit ushtarak për operacionet ushtarake në Siri, për të shmangur çdo incident midis avionëve të dy shteteve./ /v.b/ a.jor.






















