ROMË, 18 prill /ATSH-AFP/ – Presidenti italian, Sergio Mattarella ngarkoi sot presidenten e Senatit, bashkëpunëtore e Silvio Berlusconi, për të parë mundësinë deri të premten e formimit të qeverisë mes fituesve të zgjedhjeve parlamentare të 4 marsit, koalicionit të së djathtës dhe Lëvizjes 5 Yjet.
Mattarela i kërkoi Elisabetta Alberti Casellati për të shqyrtuar ekzistencën e një mazhorance parlamentare midis partive të koalicionit të së djathtës dhe Lëvizjes 5 Yjet (L5Y, anti-sistem) dhe për të parë mundësinë nëse dy kampet do të arrijnë të propozojnë kreun e qeverisë, njoftoi për median sekretari i presidencës.
Detyra pritet të jetë e vështirë pasi Luigi Di Maio, 31 vjeç kryetari i L5Y-së, partia e parë me më shumë se 32% të votave dhe Matteo Salvini 45 vjeç, lideri i Ligës (ekstremit të djathtë) dhe lideri i koalicionit të së djathtës i pozicionuar në krye me 37% të votave, pretendojnë secili vendin e parë për kampin e tyre.
Ata u shprehën të gatshëm për të qeverisur së bashku, por Di Maio kërkon që Liga të ndërpresë paraprakisht aleancën e saj me partinë e Berluskonit, që L5Y e konsideron si mishërim i të gjithë të këqijave të klasës së vjetër politike. Por për një gjë të tillë Salvini nuk bie dakort pasi krejt i vetëm nuk peshon më shumë se 17% të votave.
Pas një takimi që zgjati rreth një orë me Elisabetta Alberti Casellati, Di Maio ritheksoi veton e tij kundrejt miliarderit 81 vjeç.
”Afati është drejt përfundimit, pres një përgjigje përfundimtare deri në fund të javës”, deklaroi lideri i L5Y.
Për këtë arsye ai propozoi ”kontratën e formatit gjerman”, duke u shprehur se “një aleancë e tillë do t’i mundësonte Ligës për të realizuar një pjesë të programit të saj”.
Zonja Alberti Casellati pritet të takojë delegacionet e Ligës, pa Matteo Salvinin gjatë një vizite në Siçili, më pas Forza Italian e Silvio Berlusconit dhe së fundmi Fratelli d’Italia, një parti vogël e ekstremit të djathtë, anëtar i koalicionit./
/v.b/























