TIRANË, 31 Mars /ATSH/ – Monumentet e Kulturës po përgatiten për të pritur turistët e huaj dhe vendas ku ekspertët dhe specialistët përkatës po i mirëmbajnë dhe vëzhgojnë ato çdo ditë.
Këto monumente janë një vlerë e madhe e vendit tonë, pasi përveç bukurisë mbajnë mbi vete histori dhe ngjarje të shumta që ngjallin kuriozitet, sidomos për turistët e huaj që çdo vit e më shumë po i vizitojnë me interes.
Në pritje të sezonit të ri turistik 2018, DRKK Gjirokastër, përveç mirëmbajtjeve dhe pastrimeve të ndryshme, po vazhdon punën për përmirësimin e masave të sigurisë për vizitorët, por edhe për vetë monumentin në kalanë e Gjirokastrës.
Kalaja është si histori e lidhur me qytetin e Gjirokastrës dhe përmendet për herë të parë si qytet dhe Kështjellë në vitin 1336.
Megjithatë historianë të ndryshëm mendojnë së ekzistenca e Kalasë së gurtë është më e hershme. Kulmin e historisë së saj kjo kështjellë do ta kishtë në periudhën e Pashallëkut të Janinës kur Ali Pashë Tepelena do të realizontë një sërë ndërtimesh të reja apo ndërhyrje të tjera, duke i dhënë Kalasë së Gjirokastrës fizionominë arkitektonike dhe ndërtimore që ka sot.
Duke filluar nga viti 1968-t skena e gurtë e Kalasë së Gjirokastrës do te priste me bujari instrumentistët, këngëtarët dhe valltarët e folkut ne kuadër të Festivalit Folklorik të Gjirokastrës.
Njëkohësisht gjatë këtyre viteve mjediset e Kalasë kanë shërbyer edhe për organizimin e koncerteve, spektakleve dhe panaireve të ndryshëm kulturorë. Kalaja e gurtë është edhe një prej pikave më tërheqëse në guidat e grupeve turistike vendase dhe të huaja që vizitojnë Gjirokastrën e UNESCO-s.
Falë vlerave historike dhe arkitektonike që mbart kështjella e gurtë e Gjirokastrës, ajo vazhdon të ngelet monumenti më i preferuar për tu vizituar nga grupet turistike vendase dhe të huaja përgjatë guidave dhe udhëtimeve të tyre në zonën e Gjirokastrës./a.a/


































