Rezultate domethënëse për rritjen e punësimit në mars

TIRANË, 31 Mars/ATSH/.- Janë rreth 1396 të punësuar gjatë muajit mars vetëm nga Zyrat e Shërbimit Kombëtar të Punës, një rezultat ky i cilësuar si domethënës nga Kryeministri Edi Rama.

Përmes rrjetit social “Facebook”, Kryeministri Rama ndau sot rezultatet e Zyrave të Punës, sa i takon punësimit gjatë muajit mars.

Nga këto rezultate vihet re se qarku i Tiranës ka numrin më të madh të të punësuarve me rreth 252 persona, më pas vjen Durrësi me 221 të punësuar, Fieri me 212 të punësuar, Shkodra me 166, Korça me 89, Elbasani dhe Berati secili me 87 të punësuar, Vlora me 77 të punësuar, Lezha me 70, Gjirokastra me 65, Kukësi me 47, dhe Dibra me 23 të punësuar.

“Mirëmëngjes dhe me këtë rezultat domethënës të Zyrave të Shërbimit Kombëtar të Punës për muajin mars, ju uroj një fundjavë të qetë”, shkruan Kryeministri Rama.

Rritja e punësimit dhe orientimi drejt tregut të punës sidomos i personave që dalin nga skema e ndihmës ekonomike mbetet ndër prioritetet e qeverisë./m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.