TIRANË, 27 Mars / ATSH / – Reshjet e dëborës që po zgjasin edhe këto ditë, kanë ngjitur këtë fundjavë në Parkun Kombëtar “Shebenik-Jabllanicë” , vizitorët aventurier të saj, që duan të përjetojnë edhe një herë magjinë e stinës së dimrit.
Janë nisur nga Tirana, Elbasani, Librazhdi dhe janë ngjitur në lartësitë me borë të këtij parku.
Pasi kanë marrë informacionin e duhur në ‘Shtëpinë e Pritjes së Vizitorëve” në Fushë Studen dhe të shoqëruar nga guidatorët profesionistë të AdZM-së Elbasan, janë ngjitur në fushat me dëborë të skive.
Vizitorë të dëborës ka pasur edhe në Parkun e Dajtit, të Qafë Shtamës, të Ulzës e pa përmendur këtu lartësitë e Thethit dhe të Valbonës që shkelen në një mot të vështirë, vetëm nga më të guximshmit.
Dimri po shkund “bishtin”e tij duke na dhuruar mbase spektaklin e fundit me borë, ski, ngjitje malore e plot aventura të tjera dimërore.
”Plakat” këtë vit nuk dashkan të largohen pa e tjerrë deri në fund furkën dimërore./n.lena/ /a.g/



























