Energjia, Rama: Përgjysmuam humbjet dhe liberalizuam tregun

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10155684604931523/

 

TIRANË, 26 Mars/ATSH-Maela Marini/.- Transformimi i sektorit të energjisë solli përgjysmimin e nivelit të humbjeve dhe liberalizimin e tregut energjetik në vend.

Gjatë prezantimit të Strategjisë Kombëtare të Energjisë, Kryeministri Edi Rama solli sot në vëmendje kolapsin në të cilin gjendej ky sektor pak vite më parë dhe arritjet gjatë viteve të fundit.

“Kërcënimi kryesor për financat dhe ekonominë tonë vinte nga ky sektor. Simboli më domethënës i këtij kërcënimi ishte kompania e shërndarjes së energjisë, që kalonte një fazë dramatike në të gjitha aspektet, si të ekzistencës së vet, ashtu edhe nga pikëpamja legale”, tha Rama.

Sipas tij, qeveria bëri transformimin e rëndësishëm në çdo aspekt, duke filluar nga vendosja e ligjshmërisë në sektorin e energjisë dhe transformimin e kompanisë nga një aset i rrezikshëm për financat në një aset që sot vlerësohet ditë pas dite”.

“Për të mbajtur në këmbë sistemin e shpërndarjes dhe për të mundësuar furnizimin me energji të konsumatorëve, buxheti i shtetit subvenciononte 150 milionë euro në vit, si kompensim të humbjeve nga vjedhjet masive dhe rrjetit tërësisht të amortizuar”, tha Rama.

Sipas tij, “u trashëgua një situatë ku humbjet i afroheshin nivelit 50 për qind, ndërkohë që sot janë përgjysmuar dhe strategjia parashikon që ato të shkojnë në 10 për qind, që është norma mesatare e të gjitha vendeve të BE-së”.

Lidhur me tregun e energjisë, Rama theksoi se u ndërmor një proces kurajoz liberalizimi, ndërsa parashikohet që në harkun e pak viteve të kemi një hapje 100 për qind të tregut të energjisë.

Kjo sipas tij, do të krijojë një atmosferë të re në marrëdhëniet mes konsumatorëve dhe sektorit të shpërndarjes së energjisë, duke e çuar në një shkallë tjetër efikasitetin e kompanisë.

Po ashtu, Rama tha se “ka nisur puna dhe deri në fund të vitit jemi gati t’i ofrojmë qytetarëve mundësinë e pjesëmarrjes si aksionerë me ambicien që vitin e ardhshëm, kompania të kthehet në një kompani, ku pjesëmarrja masive e qytetarëve si aksionerë do të ketë një benefit reciprok, për kompaninë nga njëra anë dhe për qytetarët që do të përfshihen si kontribues dhe përfitues”.

Sipas Kryeministrit, “këtë nuk do ta imagjinonte askush, por kjo është e nevojshme për ta çuar kompaninë në një stad të ri”.

Nga ana tjetër, Rama shprehu bindjen se liberalizimi i tregut sjell përmirësime të jashtëzakonshme në çdo apsekt të veprimtarisë të sektorit. “Investimet në interkonjeksione, nga ai i bërë realitet me Kosovën tek ai me Maqedoninë, do të rrisin në mënyrë të konsiderueshme edhe peshën e Shqipërisë në tregun e përbashkët energjetik të rajonit, që për ne është e vetmja perspektivë e qëndrueshme për të rritur fuqinë ndikuese të sektorit në ekonominë dhe financiat e vendit dhe familjeve shqiptare”, tha Rama.

Jemi të vetëdijshëm për domosdoshmërinë e rritjes së mëtejshme të kapaciteteve, shtoi Kryeministri. 400 megavat kapacitete të shtuara, sipas tij, nuk janë pak, por janë ende të pamjaftueshme për të siguruar plotësimin e gjithë nevojës së brendshme.

Futja e një elementi të ri për sektorin energjetik, siç është gazi dhe gazifikimi në tërësi, sipas Ramës, përbën nga njëra anë një potencial të madh dhe nga ana tjetër një sfidë të madhe për të shfrytëzuar maksimalisht si gazsjellësin TAP, ashtu edhe për të vijuar më tej me gazsjellësin IAP, si dhe lidhjen e mundshme të Shqipërisë me Kosovën edhe me linjën e gazit natyror.

Harmonizimi i tregut tonë të brendshëm me tregun rajonal të energjisë dhe më tej me tregun europian, për kryeministrin Rama, është një proces aspak i lehtë dhe me shumë sfida dhe të panjohura.

Por sipas tij, ky është një proces i domosdoshëm për çuarjen përpara të liberalizimit të tregut të brendshëm, nëpërmjet garantimit të një konkurence të plotë, të një transparence të lartë dhe inkurajimit të prodhimit të energjisë diellore dhe energjisë së erës.

“Sektori i energjisë në Shqipëri ishte problemi më i madh, një gropë prej ku buronin të këqija zinxhir për ekonominë e vendit dhe patjetër edhe një kërcënim i vazhdueshëm. Sot është një potencial i vënë në rrugën e shfrytëzimit që mbetet një sfidë e hapur. Pikërisht këtë sfidë të hapur adreson ky dokument strategjik që shtrihet në harkun kohor 2018-2030”, tha Rama.

Edhe pse kjo duket një kohë e pafundme, Kryeministri kujtoi se “na u deshën 25 vite për të kthyer timonin në drejtimin e duhur dhe për të shmangur humnerën në të cilën u gjendëm”.

“12 vite janë shtrirja në kohë e një sfide transformuese ku çdo ditë ka një rëndësi themelore, pasi janë vite që kalojnë shumë shpejt dhe në çdo ditë dhe vit rezultatet vijnë në një përmirësim të vazhdueshëm dhe të qëndrueshëm”, shtoi ai.

Gjiknuri: Reformë e vështirë dhe e guximshme në sektorin energjetik

Gjatë prezantimit të Strategjisë Kombëtare të Enegjisë, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri u shpreh se “kjo strategji është një udhërrëfyes që vendos piketat kryesore”.

“Në 5 vite qeveria shqiptare ndërmori një reformë të vështirë dhe të guximshme. Kemi ulur humbjet dhe kemi rritur ndjeshëm nivelin e arkëtimeve. Hoqëm barrën e rëndë të sektorit elektro-energjetik nga buxheti i shtetit. Gjatë këtyre viteve OSHEE dhe KESH kanë arkëtuar 45.5 miliardë lekë nga taksat në buxhetin e shtetit”, tha Gjiknuri.

Po ashtu, ai nënvizoi rikthimin e besimit të humbur të partnerëve, donatorëve dhe investitorëve privatë, të cilët panë një treg energjetik që u garanton kthimin e investimit.

Gjiknuri theksoi se në transmetim u përfundua linja e Shqipërisë me Kosovën, ndërsa u ndërtuan rreth 400 megavat kapacitete të reja gjeneruese në fushën e hidrocentraleve.

“U nxit dhe u mbështet ndërtimi i projektit TAP, shumë i rëndësishëm për Shqipërinë dhe rajonin. Ashpërsuam kontrollin ndaj marrëveshjeve hidrokarbureve dhe në shumë raste morëm në kontroll blloqet e naftës dhe gazit që menaxhoheshin nga kompani të papërgjegjshme”, tha Gjiknuri.

Po ashtu, ai veçoi edhe miratimin e kuadrit ligjor, që nga aktet ligjore dhe nënligjore, miratimi i ligjit të energjisë elektrike, gazit natyror, deri tek krijimi i bursës shqiptare të energjisë.

Sa i përket të ardhmes, Gjiknuri u shpreh se “sfidë mbetet mbështetja e zhvillimeve ekonomike, rritja e furnizimit me energji, gazifikimi i sektorit energjetik duke shfrytëzuar në maksimum projektet TAP dhe IAP”.

Strategjia e Energjisë, sipas tij, përcakton targete për të bërë të mundur integrimin europian të Shqipërisë në gjithë infrastrukturën europiane të energjisë.

Gjiknuri renditi si prioritete në të ardhmen vazhdimin e rritjes së arkëtimeve për të arritur nivelin 98 për qind në vitin 2030, si dhe shkallën e hapjes së tregut të energjisë 100 për qind në vitin 2025.

“Qeveria e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës me mbështetjen e SHBA-së po punon për integrimin e tregjeve të energjisë elektrike mes dy vendeve, krijimin e bursës energjetike, si dhe integrimin e tregjeve tona në tregun europian”, tha Gjiknuri.

Lu: Koncesione transparente në fushën e energjisë 

Edhe pse nuk ishte i pranishëm në këtë konferencë, ambasadori i SHBA-së, Donald Lu e përcolli mesazhin e tij përmes përfaqësueses së USAID-it, Catherine Johnson.

Ambasadori shprehu bindjen se “në gjeneratën e ardhshme, me anë të kësaj strategjie do të ndodhin gjëra shumë të mira”.

Jam i sigurt, u shpreh ai se, “Shqipëria do të përmirësojë menaxhimin e këtij sistemi”.

“Të gjitha këto reflektohen në strategjinë e re. I bëj jehonë mesazhit që është përcjellë nga FMN që Shqipëria do të përfitojë, duke mos dhënë më koncesione jo konkuruese të bizneseve individuale, sepse duhet të ketë një kontratë transparente, standarde për të gjithë konkurentët në sektorin e energjisë. Askush nuk duhet të marrë trajtim të posaçëm”, shprehet Lu.

Vlahutin: Strategjia parashikon rritje ekonomike pa rritur varësinë nga importi

Ndërsa ambasadorja e delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Romana Vlahutin e konsideroi këtë strategji, një zhvillim mjaft pozitiv dhe të shumëpritur për Shqipërinë.

“Nuk ka nevojë që të shtjellojmë më tej se sa të rëndësishme janë burimet energjetike, jo vetëm për ekonominë, por edhe për sigurinë dhe autonominë strategjike të Shqipërisë. Gjatë këtyte viteve kemi parë një progres të vazhdueshëm të reformave strukturore”, u shpreh Vlahutin.

Zbatimi i strategjisë, sipas saj, do të çojë në rritjen ekonomike, pa rritur varësinë nga importi. “Autonomia e Shqipërisë në burimet primare ka qenë 42 për qind në 2016 dhe mund të rritet në një shkallë të konsiderueshme”, tha Vlahutin.

Ajo nënvizoi rëndësinë e diversifikimit të burimeve të energjisë së ripërtëritshme, energjisë diellore dhe asaj të erës, krahas burimeve hidrike.

Po ashtu, Vlahutin vlerësoi linjën e interkonjeksionit Elbasan-Bitola që lidh Shqipërinë me Maqedoninë, e cila do të fillojë së shpejti, si një hap të mëtejshëm drejt integrimit në tregjet e energjisë.

“Mezi pres të shoh përparimin e Shqipërisë si një aktor i rëndësishëm në tregun e integruar të energjisë në Europë”, tha ajo.

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.