TIRANË, 22 Mars/ATSH/-Policia ka ndërmarrë një plan masash për rritjen e sigurisë duke kryer kontrolle të shumta jo vetëm për kapjen e personave në kërkim por edhe të atyre që qarkullojnë me armë zjarri apo që tentojnë të shpërndajnë lëndë narkotike.
Gjatë kontrolleve u kapën dhe arrestuan në flagrancë dy shtetas të cilët qarkullonin me armë zjarri Sekuestrohen dy armë zjarri, fishekë dhe doza me lëndë narkotike. Po kështu, u shoqëruan për verifikim në Komisariatet e Policisë Tiranë, 22 shtetas, me preçedentë penalë të mëparshëm.
Si rezultat i kontrolleve, në territorin që mbulon Komisariati i Policisë nr. 1, rreth orës 22:30, në rrugën “Petro Nini Luarasi”, gjatë kontrollit fizik të ushtruar nga Policia shtetasit Dritan Aga, 37 vjeç, banues në Tiranë, iu gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materaile, një armë zjarri pistoletë, një krehër me 10 fishekë, 4 doza me lëndë të dyshuar narkotike e llojit “Cannabis Sativa”.
Shtetasi Dritan Aga u arrestua në flagrancë për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, si dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, parashikuar nga neni 278 dhe 283 i Kodit Penal.
Gjithashtu në rrugën “Dritan Hoxha”, tek sheshi “Karl Topia”, në terriotrin që mbulon Komisariati nr. 2, gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin tip “Seat”, që drejtohej nga shtetasi Enver Sylaj, 27 vjeç, banues në Tropojë, u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë me dy krehëra me 14 fishekë.
Shtetasi Enver Sylaj u arrestua në flagrancë për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” parashikuar nga neni 278 i Kodit Penal. Sakaq, Policia e Shtetit ka bërë të ditur se kontrollet do të vijojnë. z.tosku/ /a.g/















