TIRANE, 15 Mars /ATSH/- Në tregun e këmbimit valutor, leku ka vijuar të forcojë pozitat këtë javë në këmbim me euron dhe dollarin amerikan.
Monedha e gjelbër amerikane dhe ajo e përbashkët europiane kanë humbur sërish pikë të enjten, në tregun e brendshëm valutor, duke shënuar nivelet më të ulëta në këto tre vitet e fundit, por brenda parashikimeve të Bankës së Shqipërisë.
Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, të enjten dollari amerikan u këmbye me 106.70 lekë ose 0.32 lekë më pak se një ditë më parë dhe euro ka humbur 0.26 lekë duke u këmbyer në kuotën e 131.57 lekëve.
Këmbimi valutor vendas vazhdon të reflektojë ecurinë në bursat ndërkombëtare dhe kërkesë oferta vazhdon të orientojë pozitat e këmbimit. Por sipas aktorëve të tregut, forcimi i pozitave të lekut ka ardhur edhe si rezultat i masave që ka ndërmarrë Banka e Shqipërisë për deeurozimin.
Banka e Shqipërisë zbaton një regjim të lirë të kursit të këmbimit.
Vlera e lekut kundrejt valutave të huaja përcaktohet lirisht në tregun e këmbimit valutor. Luhatjet e kursit të këmbimit reflektojnë lëvizjen e lirë të mallrave e të kapitalit në shkëmbimet tregtare dhe financiare të Shqipërisë me partnerët e saj tregtarë.
Pa cenuar regjimin e një kursi të këmbimit të lirë, Banka e Shqipërisë mund të kryejë veprime në tregun valutor me objektiv përshtatjen e kursit të këmbimit me nivelin e përcaktuar nga faktorët bazë makroekonomike, shmangien e çrregullimeve dhe rritjen ose uljen e rezervës valutore.
Banka e Shqipërisë llogarit dhe publikon kursin zyrtar të këmbimit. Ky kurs është një nivel referencë (i vetëm), i cili mund të përdoret nga të interesuarit për qëllime tregtuese, vlerësuese, krahasuese dhe statistikore.
Ekspertët e ekonomisë shpjegojnë se dobësim i euros favorizon kreditoret që kanë marrë hua në këtë valutë, ndërsa sygjerojnë një orientim më të mirë të përdorimit të valutës në raport me lekun.
| Monedha Kryesore | Lekë për njësi të monedhës së huaj | |||
|---|---|---|---|---|
| Dollar Amerikan | USD | 106.70 | -0.32 | |
| Euro | EUR | 131.57 | -0.26 | |
| Poundi Britanik | GBP | 148.27 | -0.01 | |
| Franga Zvicerane | CHF | 112.56 | -0.13 | |
| Jeni Japonez (100) | JPY | 99.57 | -0.86 | |
| Dollari Australian | AUD | 84.02 | -0.14 | |
| Dollari Kanadez | CAD | 83.04 | -0.42 | |
| Korona Suedeze | SEK | 12.97 | 0.00 | |
| Korona Norvegjeze | NOK | 13.75 | -0.01 | |
| Korona Daneze | DKK | 17.67 | -0.02 | |
| SDR | SDR | 154.64 | -0.43 | |
| Ari(OZ 1) | XAU | 140655.14 | -273.08 | |
| Argjend(OZ 1) | XAG | 1759.48 | -3.14 | |
| Juani Kinez (onshore) | CNY | 16.87 | -0.05
|
|
| Juani Kinez (offshore) | CNH | 16.87 | -0.05 | |
e.xh/ /a.g/























