Ballina Kryesore

Reshjet, vijon shpërndarja e bazës ushqimore për të prekurit

TIRANE,13 Mars/ATSH/- Gjatë 24 orëve të kaluara mbi vendin tonë ka mbizotëruar mot me vranësira të ndrueshme dhe të dendura me prani të reshjeve të shiut në pjesën më të madhe të vendit.

Sipas informacionit të publikuar nga ministria e Mbrojtjes, reshjet e shiut kanë qenë të herëpashershme me intensitet deri të lartë, ndërsa Forcat e Armatosura gjenden në terren për të bërë të mundur shpërndarjen e bazës ushqimore për të gjithë banorët e prekur nga këto reshje.

Gjatë natës, sasia më e madhe e reshjeve të shiut të rëna është shënuar në Lezhë 20 mm shi, Shkodër 12 mm shi dhe Tiranë 12 mm shi, ndërsa në pjesën tjetër e vendit kanë rënë më pak se 7 mm shi.

Në qarkun e Shkodrës, si pasojë e reshjeve të rëna janë ndodhur nën ujë një sipërfaqe e konsiderueshme e tokës bujqësore dhe janë izoluar nga uji shumë banesa, ku më i prekuri ka qenë fshati Obot.

“Aktualisht Forcat e Armatosura janë të pranishme në zonat e prekura nga uji me efektivet dhe mjetet e batalionit të këmbësorisë së Shkodrës”, thuhet në njoftimin për shtyp të shpërndarë nga MM.

Ministria e Mbrojtjes bën të ditur se janë marrë masa për sigurimin e bazës ushqimore për banorët por edhe për bagëtitë e këtyre zonave.

Nga drejtoria e përgjithshme e rezervave materiale të shtetit janë dërguar në njësinë administrative, Ana e Malit 450 pako ushqimore dhe 180 pako me detergjent.

Në njësinë administrative, Ana e Malit janë shpërndarë 7 tonë koncentrat si dhe 11 ton bar i thatë. Në njësinë administrative, Dajç janë shpërndarë janë shpërndarë 11 ton koncentrat për bagëti.

Sipas ministrisë së Mbrojtjes, ndodhen të magazinuara 2 ton koncentrat për bagëti, i cili do të shpërndahet sipas një grafiku të caktuar.

Kjo sasi ushqimore për bagëti është siguruar nëpërmjet ndërmjetësimit të Institucionit të Prefektit të Qarkut Shkodër me Ministrinë e Mbrojtjes (DPEC) Ministrinë e Bujqësisë dhe Donacioni i Dhomës së Tregtisë dhe kompaninë AIBA.

/a.gjonaj/ /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakTOKIO – Abe i kërkon Phenianit zbatimin në praktikë të premtimeve
Artikulli tjetërSHBA – Tillerson: Rusia të përballet me pasoja për sulmin me agjent nervor