TIRANË, 7 Mars /ATSH/ – Nxënësit shqiptaro-kanadezë kanë zgjedhur një mënyrë krejt të veçantë për të uruar 7 Marsin, festën e mësuesit.
Nëpërmjet një debutimi të mrekullueshëm, nxënësit në Otava kanë përcjellë urimet e tyre të përzemërta ndaj të gjithë mësuesve dhe edukatorëve (anëtarë të komunitetit shqiptaro-kanadez), me rastin e festës së mësuesit.
Përmes një videoje të publikuar nga faqja zyrtare e Ambasadës Shqiptare në Kanada, në rrjetin social “Facebook”, shihen fëmijët teksa këndojnë këngën “Globi rrotullohet”. I pranishëm në këtë përshëndetje të fëmijëve ka qenë edhe Ambasadori Shqiptar në Kanada, Ermal Muça. Ky i fundit, është aktiv në mbështetjen e vazhdueshme ndaj komunitetit shqiptar në Kanada, si dhe në thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.
“Nëpërmjet këtij debutimi të mrekullueshëm të nxënësve të Shqipes në Otava përcjellim urimet më të përzemërta për të gjithë mësuesit dhe edukatorët, anëtarë të komunitetit Shqiptaro-Kanadez me rastin e 7 marsit, Ditës Kombëtare të Mësuesit! Nderim dhe respekt për punën tuaj të palodhur”, thuhet në faqen zyrtare. /r.e/
https://www.facebook.com/649271165192451/videos/1594999867286238/





















