Ballina Bota

GREQI – Kotzias: Natyrisht që negociatat me Shqipërinë do të kishin përfundim pozitiv

ATHINË, 16 shkurt /ATSH/ – Natyrisht që negociatat me Shqipërinë do të kishin përfundim pozitiv, deklaroi dje në mbrëmje, ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias, në një intervistë dhënë stacionit televiziv grek ”Alpha” dhe i cituar sot nga gazeta e njohur greke ”Proto Thema”.

“Me palën shqiptare negociatat po zhvillohen që prej dy viteve e gjysmë”, deklaroi Kotzias.

”Ishte e natyrshme që në një moment ato të mbërrinim në një përfundim pozitiv. Unë shpresoj të arrijmë atje”, tha ministri grek, por pa dhënë detaje rreth paketës konkrete dhe marrëveshjes.
Shefi i diplomacisë greke përmendi edhe incidentin me anijen turke duke theksuar se Greqia po shqyrtonte mundësinë e kërkimit të kompensimeve për dëmet e vogla shkaktuar një anijeje të Rojes Bregdetare greke, pasi ajo u godit nga një anije patrulluese turke pranë ishullit Imia, sipas agjencisë greke ANA-MPA.

“Ne po shqyrtojmë nëse turqit duhet të paguajnë për dëmin”, deklaroi Kotzias, në intervistën që u transmetua pak para mesnatës.

”Turqia arriti në linjën e kuqe dhe në një farë mënyre e kaloi atë. Greqia nuk do të reagojë kaq paqësisht në rast të ndonjë incidenti tjetër në të ardhmen”, theksoi ai.

I pyetur të komentonte për deklaratën e kryeministrit maqedonas, Zoran Zaev, sipas të cilit tri nga shtatë çështjet me Greqinë ishin zgjidhur, Kotzias u tregua i rezervuar.

“Është një deklaratë optimiste nga Zaev dhe optimizmi është një gjë pozitive”, tha Kotzias./ a.jor.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakANKARA – Tillerson: SHBA-ja dhe Turqia ndajnë të njëjtat objektiva në Siri
Artikulli tjetërTURQI – Një gazetar gjermano-turk lirohet nga burgu