TIRANE, 11 Shkurt /ATSH/- Segmenti rrugor Tepelenë- Vlorën, në jug të vendit, mjaft problematik në qarkullimin e mjeteve për shkak të mungesës së investimeve nga ana e kompanive ndërtuese për mirëmbajtjen e saj, është përfshirë në projektin “Mirëmbajtje dhe Siguri Rrugore ” të inicuar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar,(ARRSH).
Ky seksion është i shkurtër rreth 0.34 km, por është pjesë shumë e rëndësishme që vijon segmentin jugor Mallakaster – Kakavijë, Fier – Kufi Tepelenë.
Tepelenë- Vlorë konsiderohet një rrugë me dy drejtime me një karrexhatë dhe është pjesë e rrugës së vjetër Fier – Vlore. Ajo shtrihet në një terren të sheshtë rural dhe përdoret për të hyrë në autostradën A2 të ndërtuar kohët e fundit (Levan – Vlore). Trafiku konsiderohet të jetë në nivel të lartë dhe shtresat asfaltike kërkojnë rehabilitim dhe mirëmbajtje periodike, për të garantuar cilësi dhe siguri rrugore.
Autoriteti Rrugor, vlerëson se investimet për mirëmbajtjen e këtij segmenti do të ndikojë në zhvillimin ekonomik të zonës, veçanërisht atë rurale që përshkon ajo.
Sipas ARRSH-së, disa akse rrugore janë rikonstruktuar së fundmi por shfaqin disa probleme si mungesë të sinjalistikës vertikale dhe horizontale, ndriçim jo të mjaftueshëm, etj. Në këto kushte rritet risku për aksidente. Kjo mund të konsiderohet një situatë tipike ku planifikimi dhe dizenjimi i punimeve të përshtatshme të mirëmbajtjes dhe rehabilitimit mund të përmirësojnë situatën në terma të nivelit të shërbimit dhe të sigurisë rrugore.
Lidhur me implementimin e një sistemi të plotë të menaxhimit social dhe mjedisor, ky projekt do të jetë në një linjë me menaxhimin e rekomanduar sipas standardeve më të mira. Ndërsa kontributi pozitiv i investimit do te jetë i lidhur me ruajtjen e burimeve natyrore dhe principeve të zhvillimit të qëndrueshëm që paraqet zona.
Projekti “Mirëmbajtje dhe Siguri Rrugore Bazuar në Rezultate”, ka objektiv kryesor, kryerjen e punimeve për rritjen e efikasitetit të mirëmbajtjes dhe menaxhimit të rrjetit rrugor, përmirësimin e kushteve dhe sigurisë në rrugë. Për këtë qëllim investimet do të adrsohen në punime rehabilitimi, shërbime të performancës së rrjetit dhe punime emergjente, bën të ditur ARRSH-ja.
Projekti “Mirëmbajtje dhe Siguri Rrugore Bazuar në Rezultate”
Me asistencën teknike të Bankës Botërore qeveria shqiptare ka përzgjedhur 12 projektet rrugore me prioritet të brendshëm që kanë një kosto financimi 858 milionë euro deri në vitin 2020, nga të cilat 128 milionë euro janë planifikuar për mirëmbajtjen dhe pjesa tjetër për ndërtim.
Rrugët që do të financohen lidhen më disa segmente në autostradën e Kombit, korridorin Adriatiko-Jonian dhe Korridorin 8, ku bën pjesë dhe segmenti Tepelenë- Vlorën. /e.xh/ /a.g/






















