Ballina Bota

MV – Regjistrohet rasti i parë me variantin Omicron

SHKUP, 26 dhjetor /ATSH-AA/ – Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë së Veriut njoftoi se  është regjistruar rasti i parë i variantit Omicron të koronavirusit.

Në njoftimin e ministrisë thuhet se bëhet fjalë për një person i cili ka mbërritur në vend nga Britania e Madhe, ndërsa i njëjti edhe më herët, në janar të këtij viti, ka qenë i infektuar me COVID-19.

“Pas shërimit, pacienti ka marrë dy doza të vaksinës Pfizer. Para dy ditësh rezultoi pozitiv për herë të dytë me variantin Omicron. Pacienti aktualisht ka një gjendje të lehtë klinike dhe po trajtohet i izoluar në shtëpi”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Maqedonia e Veriut gjatë 24 orëve të fundit regjistroi 266 raste të tjera me COVID-19 si dhe 717 pacientë që fituan betejën kundër virusit.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara me koronavirus në vend ka arritur në 222 932, prej të cilëve 210 319 janë shëruar.

Vendi po ashtu regjistroi 15 viktima të tjera nga COVID-19, duke e çuar në 7 894 numrin e përgjithshëm të tyre./ a.jor.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakVdes Desmod Tutu, nobelisti ikonë i Afrikës së Jugut
Artikulli tjetërSHBA – Biden: Vlerësoj guximin e pamasë të amerikanëve përballë pandemisë