UASHINGTON. 26 dhjetor /ATSH-AFP/ – Në Krishtlindjet e tij të para në Shtëpinë e Bardhë, Joe Biden vlerësoi guximin e pamasë të amerikanëve përballë pandemisë dhe u bëri thirrje atyre që të jenë të bashkuar përballë vështirësive.
”Këtë vit kemi parë guximin, forcën, qëndrueshmërinë dhe vendosmërinë e pamasë të të gjithëve që kujdesen, ngushëllojnë, mësojnë, mbrojnë dhe i shërbejnë vendit në mënyra të ndryshme”, tha ai.
“Ju demonstroni, përsëri dhe përsëri, se dallimet tona janë të çmuara dhe ngjashmëritë tona të pafundme”, tha Biden, i cili ndodhet në krye të një vendi thellësisht të përçarë për një mori temash.
“Si komandant i përgjithshëm, desha të shfrytëzoj rastin për të thënë faleminderit, faleminderit dhe faleminderit. Është pak kompensim për atë që ju mungon, kalimin e pushimeve me familjen”, theksoi ai për trupat amerikane që ndodhen me mision në Katar, Bahrein, Rumani dhe Kolorado.
“Ju jeni shtylla kurrizore e këtij kombi”, tha presidenti, duke kujtuar se djali i tij, Beau, i cili vdiq në vitin 2015, ndodhej me mision në Irak./ a.jor.























