Ballina Flash

Shqipëria njeh kundërshtarët për Kupën e Botës 2024

TIRANË, 7 dhjetor /ATSH/ Kombëtarja shqiptare e futsallës është njohur ditën e sotme me kundërshtarët që do të ketë përballë në paraeliminatoret e Kupës së Botës së Futsallit 2024. Shqipëria e drejtuar nga trajneri Erind Resuli, është shortuar në Grupin E dhe përballë do të ketë Suedinë, Andorrën dhe Austrinë.

Turneu paraeliminator do të zhvillohet në muajin prill në Suedi, nga data 4 deri në 13 prill. Verdheblutë janë përzgjedhur si organizatorë të turneut.

Sipas rregullores së publikuar më parë, në këtë fazën kualifikohen dy skuadrat e para të çdo grupi. Kuqezinjtë kaluan për herë të parë edicionin e shkuar në Raundin Elitë të eliminatoreve të Kampionatit Botëror, duke shënuar një sukses të rëndësishëm.

Pas shortit, i kontaktuar nga fshf.org, trajneri Resuli u shpreh se, “shorti është relativisht i vështirë, por ne jemi të detyruar të luftojmë fort për kualifikimin. Skuadra ka pasur rritje vitet e fundit dhe uroj që kjo të konfirmohet edhe në këtë edicion eliminator”.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakISHP: Kontaktet e të infektuarve me COVID-19 vaksinohen pas 30 ditësh
Artikulli tjetërTetë raste të reja me COVID-19