Ballina Aktualitet

Shtyhet të premten mbledhja e komisionit hetimor për zgjedhjet e 25 prillit

TIRANË, 20 tetor/ATSH/ Mbledhja e sotme e komisionit hetimor parlamentar për zgjedhjet e 25 prillit, nuk u zhvillua për shkak të mungesës së kuorumit të nevojshëm, njoftoi Kuvendi i Shqipërisë.

Me anë të një njoftimi për mediet Kuvendi theksoi se, “mbledhja e sotme e komisionit hetimor parlamentar “Për kontrollin e veprimtarisë së organeve të administratës publike dhe pushtetit vendor, për të verifikuar përdorimin e burimeve të administratës shtetërore për qëllime elektorale në zgjedhjet e 25 prillit 2021” nuk u zhvillua për shkak të mungesës së kourumit të nevojshëm”.

“Kryetari i këtij komisioni, Enkelejd Alibeaj ngarkoi Sekretariatin Teknik të këtij komisioni të njoftojë anëtarët se mbledhja e ardhshme e komisionit hetimor do të zhvillohet më datën 22 tetor 2021, ora 10:00”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.

Alibeaj: Synohet pengimi i hetimit të zgjedhjeve

Kryetari i Komisionit Hetimor për Zgjedhjet, Enkelejd Alibeaj u shpreh në një prononcim për mediet se, “në bazë të ligjit, mbledhjet thirren nga kryetari i komisionit. Duke vazhduar në vazhdën pozitive të mbledhjes së parë, në konsultim me Toni Gogun, që është zv.kryetar i komisionit i kam komunikuar që mbledhja pasardhëse, e sotmja, do të ishte me datën 20 Tetor. Datë e cila u kërkua prej tyre në orën 15:00”.

“Të gjithë anëtarët u paraqitën në sallën e Byrosë së Kuvendit. Ndërkohë që u gjendëm përpara një befasie të pakëndshme. Bojkot total të të gjithë anëtarëve të mazhorancës. Çështje e habitshme për këdo. Duket fare qarët se nuk kishte asnjë arsye. Madje arsyeja e qartë ishte që, meqenëse jemi në javën e gjelbër të Kuvendit, sot po e marrim pushim dhe po caktojmë një datë tjetër”, tha Alibeaj.

“Duket fare qartë se mungesa e arsyeve, justifikimeve, sepse ata nuk patën fare arsye pse mungonin, duket që është një strategji e pastër, e qartë obstruksionizmi, për të penguar veprimtarinë e hetimit të masakrës zgjedhore të 25 prillit”, theksoi Alibeaj.

“Do të njoftojmë sigurisht, së pari, kryetaren e Kuvendit, meqë është ajo e cila ka nënshkruar vendimin për të cilën ne mblidhemi. Do të njoftoj edhe Konferencën e Kryetarëve. Dhe sigurisht, jam i vendosur që deri në fund, sipas përcaktimeve të Ligjit për Komisionet Hetimore që mungesat pa arsye tre herë janë një shkak ligjor për të kërkuar zëvendësimin e tyre”, tha Alibeaj.

Gogu: Kemi propozuar ta vazhdojmë mbledhjen ditën e enjte

Nënkryetari i komisionit hetimor, deputeti i PS, Toni Gogu sqaroi me anë të një reagimi për mediet se, u kemi propozuar kolegëve të opozitës ta vazhdojmë mbledhjen ditën e enjte.

“Me keqardhje vura re sot se si zoti Alibeaj ka vazhduar shkeljen rregullores së Kuvendit dhe mirëbesimit mes palëve. Përcaktimi i mbledhjes së ardhshme të Komisionit ishte pika e fundit në rendin e ditës dhe nevojitej të votohej nga Komisioni. Në kushtet e pamundësisë së votimit nga Komisioni të kësaj pike të rendit të ditës dhe njoftimit nga sekretaria në kohë të papërshtatshme dhe të padakordësuar, ndërkohë që kemi planifikuar aktivitete në zonat elektorale, u kemi propozuar kolegëve të opozitës ta vazhdojmë mbledhjen ditën e enjte. Në frymën e bashkërendimit të punëve dhe shërbimit në mënyrën me dinjitoze interesit qytetar, lipset që te komunikojmë, të debatojmë, e të vendosim së bashku ne frymën dhe germën e ligjit dhe jo të krijojmë furtuna në gota foltoresh”, u shpreh Gogu.

 

Bardhi: PS bojkoton komisionin e hetimit të zgjedhjeve, nuk pengojnë dot opozitën për të faktuar vjedhjen e zgjedhjeve

Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi në një reagim u shpreh se, “bojkoti i Komisionit Hetimor për masakrën zgjedhore të 25 Prillit nga anëtarët e Partisë Socialiste është dëshmi e qartë e papërgjegjshmërisë së tyre në raport me interesin e qytetarëve”.

“Edhe pse kërkuan vetë që mbledhja e Komisionit të vijonte në datën 20, sot zgjodhën bojkotin. Është e qartë që ato që vodhën zgjedhjet, përdorën krimin dhe paratë e korrupsionit për të blerë vota, që përdorën shtetin në zgjedhje, nuk kanë interes për të faktuar masakrën zgjedhore. Opozitën nuk e pengojnë dot në ushtrimin e të drejtave dhe përgjegjësive të saj për hetimin parlamentar të masakrës zgjedhore të 25 Prillit”, tha Bardhi.

Vasili: Rilindja bojkoton pa asnjë shkak e arsye mbledhjen e Komisionit Hetimor

Anëtari i komisionit nga radhët e LSI, Petrit Vasili në një reagim në Facebook e cilësoi si turp, mospjesëmarrjen e deputetëve të PS-së në komision.

“Çfarë turpi! Rilindja bojkoton pa asnjë shkak e arsye mbledhjen e Komisionit Hetimor për zbardhjen e zgjedhjeve të 25 Prillit! Mbledhjen e kërkuan po vetë për sot në 20 tetor! Pengojnë dhe zvarrisin me çdo mjet zbardhjen e 25 Prillit. Kanë shumë frikë nga e vërteta”, tha Vasili.

/a.a/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKombëtarja U-17, Kurti, Ageja dhe Sulejmani: Duam të bëjmë surpriza
Artikulli tjetërSHBA, mbështetje Shqipërisë në përpjekjet për anëtarësim në BE