PRISHTINË, 7 gusht/ATSH/- Teatrot e qyteteve të Kosovës në pjesën e parë të 2019 do të bëhen me ligj të ri.
Lajmi u bë i ditur nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, gjatë një takimi pune me drejtorët e Teatrove të qyteteve kryesore të Kosovës dhe përfaqësuesit e Sindikatës së Teatrove të Kosovës.
Në këtë takim ministri diskutoi për situatën e tanishme të teatrove në Kosovë dhe mundësinë e përmirësimit kushteve të tyre të punës dhe stabilitetit financiar të tyre.
Ministri dhe përfaqësuesit biseduan edhe për hartimin e projektligjit për teatrot. Ministri Gashi i njoftoi ata se në këtë fazë MKRS-ja është duke e përgatitur dokumentin, i cili do të miratohet në qeveri duke i hapur rrugën ligjit të ri, që sipas ministrit besohet se teatrot e qyteteve të Kosovës do të bëhen me ligj të ri në pjesën e parë të vitit 2019.
“Ndër të tjera, ligji do të parashikojë rritjen e buxhetit dhe avantazhet e tjera. Po ashtu, kjo politikë e re do të detyrojë komunat dhe kryetarët e tyre, që të ndajnë buxhet shtesë për teatrot dhe rritjen e numrit të stafit dhe futjen e tyre në lista të rregullta të pagave”, shpjegoi ministri.
Ai premtoi se MKRS-ja do të punojë sa më shpejtë që është e mundur në hartimin e ligjit dhe duke përfshirë të gjitha palët e interesit.
“Me miratimin e këtij ligji dhe zbatimin e tij, teatrot anembanë Kosovës do të stabilizohen dhe kjo drejtpërsëdrejti do të ndikojë në rritjen e aktiviteteve dhe vlerave artistike”, u shpreh Gashi.
Përfaqësuesit e teatrove dhe sindikatës falënderuan ministrin për gatishmërinë e treguar dhe u shprehen se kjo nismë e MKRS-së është e mirëpritur dhe konform kërkesave që ata kanë. Ata premtuan se do të angazhohen maksimalisht në bashkëpunim me MKRS-në që ligji në fjalë të jetësohet sa më shpejt./k.s/
















