Ballina Ekonomi

Programi ekonomik i PD-së/ Kadia: Fatkeqësia e tretë e vendit, nëse zbatohet

TIRANË, 1 shkurt/ATSH/ Zëvendësministri i Financave dhe Ekonomisë, Besard Kadia deklaroi sot se nëse do të zbatohej programi ekonomik i prezantuar nga Partia Demokratike, do të ishte fatkeqësia e tretë që do ti ndodhte vendit, pas tërmetit dhe pandemisë.

Gjatë një debati televiziv, Kadia theksoi se ky program që është paraqitur supozon një realitet ekonomik e fiskal tjetër, me një borxh publik 40%, ekonomi në zhvillim e të industrializuar dhe shteti merr angazhime.

“Çdo vizion, çdo program bëhet mbi analizën e situatës aktuale. Në situatën ku jemi e kemi një borxh, ky program i paraqitur e supozon një realitet ekonomik fiskal tjetër”, tha ai.

Sipas tij, shteti nuk mund të marrë kaq shumë përsipër, pasi nuk e ka të mundur të bëjë kaq shumë politika sociale.

“Në rast se ju do thoni: nuk bëjmë asgjë në ekonomi, do ulim borxhin, do heqim dorë nga shpenzimet prej 700 milionë eurosh, do heqim 100 mijë njerëz nga puna që janë në administratën publike, por do të ulim taksat, atëherë programi është i realizueshëm“, deklaroi Kadia.

Sipas tij, është fatkeqësi se Shqipëria s’mund të bëjë këto lloj shpenzimesh. “Ditën e parë të qeverisjes ju vjen tek zyra FMN dhe BB dhe do ju shtyjë këtë programin. Bëhuni seriozë do ju thonë”, theksoi Kadia. /a.a/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakTURQI – Erdogan: Jam në favor të diskutimit të një kushtetute të re
Artikulli tjetërBRUKSEL – Eurostat: Papunësia në BE më e lartë se në 2019