LONDËR, 12 nëntor /ATSH-AFP/ – Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) i Britanisë së Madhe u rrit me 15,5% në tremujorin e tretë në sajë të rihapjes së ekonomisë, por u dobësua në shtator duke paralajmëruar një fund të vështirë të vitit për shkak të kufizimeve.
Aktiviteti u ringjall gjatë verës pas një kolapsi historik të PBB-së prej 19,8% në tremujorin e dytë për shkak të kufizimit të parë të vendosur përballë pandemisë, sipas shifrave të publikuara sot nga Byroja Kombëtare e Statistikave (ONS).
Pavarësisht këtij rikuperimi, PBB mbetet 9,7% nën nivelin e saj në fund të vitit 2019, para krizës shëndetësore.
Në tremujorin e tretë, ekonomia përfitoi nga një rikthim i fortë i shpenzimeve familjare dhe investimeve të biznesit, të cilat ishin ngrirë në pjesën më të madhe të pranverës.
Në të kundërt, shtatori tregon shenja të ngadalësimit të rritjes ekonomike, që ishte vetëm 1,1% nga muaji në muaj.
Gjatë kësaj periudhe, u vendosën kufizime në shumë pjesë të Britanisë së Madhe, veçanërisht në Anglinë qendrore dhe veriore, përballë fillimit të valës së dytë të COVID-19.
Këto masa u përforcuan gjatë muajit tetor, përpara se të çonin në zbatimin e një rikufizimi në nëntor për një muaj në Angli.
Prandaj ekonomistët presin që rimëkëmbja të ndalet në tremujorin e katërt me një rënie të mundshme të PBB-së.
Britania e Madhe është vendi më i prekur në Europë nga pandemia dhe kaloi dje pragun e 50 000 të vdekurve, sipas bilancit të autoriteteve.
“Këto shifra të rritjes tregojnë se ekonomia jonë u rrit përsëri gjatë verës, por filloi të ngadalësohej në fillim të vjeshtës”, pranoi Ministri i Financave, Rishi Sunak në një komunikatë.
“Masat që kemi marrë për të ndaluar përhapjen e virusit nënkuptojnë që rritja ndoshta është ngadalësuar që prej asaj kohe” shtoi ai.
Për shkak të rikufizimit, ministri zgjati deri në mars dispozitën për papunësi të pjesshme që synon të mbrojë kompanitë dhe punonjësit./ /ec/













