Ballina Flash

Prodhuesit e vaksinave nën sulme kibernetike

TOKIO, 20 tetor /ATSH-AA/ – Prodhuesit japonezë të vaksinave janë përballur me sulme kibernetike që nga fillimi i prillit.

“Megjithatë nuk ka patur ndonjë rrjedhje të informacioneve të rëndësishme”, njoftoi agjencia japoneze e lajmeve Kyodo.

Sipas kompanisë amerikane të sigurisë së informacionit ”CrowdStrike”, sulmet ishin rastet e para të këtij lloji në vend dhe shtoi se sulmuesit ka të ngjarë të jenë kinezë.

Qendra Kombëtare e Qeverisë së Japonisë për Gatishmërinë e Incidenteve dhe Strategjinë për Sigurinë Kibernetike u ka kërkuar prodhuesve të vaksinave që të rrisin nivelet e gatishmërisë kundër përpjekjeve të tilla për të vjedhur informacione konfidenciale.

”CrowdStrike” deklaroi se kompanitë e vaksinave morën postë elektronike të bashkangjitura me skedarë elektronikë, të cilët dukej se kishin lidhje me virusin e ri, por përmbanin viruse kompjuterike.

Drejtori i kompanisë përgjegjëse për rajonin Azi-Paqësorit, Scott Jarkoff, lidhi sulmet kibernetike me garën midis vendeve se cili do të jetë i pari që prodhon vaksinën për trajtimin e koronavirusit të ri (COVID-19).

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), deri në fund të shtatorit janë regjistruar afro 190 projekte vaksinash në zhvillim, shumë prej të cilave janë në fazat e fundit të testit.

COVID-19 ka prekur rreth 40 milionë njerëz në mbarë botën që nga shfaqja e saj dhjetorin e kaluar në qytetin Wuhan të Kinës. Mbi 1.1 milionë njerëz kanë vdekur për shkak të infeksionit./ /ec/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSIDNEI – Australia i bashkohet SHBA-së, Japonisë dhe Indisë në manovrat ushtarake
Artikulli tjetërFRANCË – Parlamenti miraton kontribut rekord për buxhetin e BE-së