TIRANË, 16 tetor /ATSH/ Kreu i Delegacionit të Bashkimit Europian, Luigi Soreca, zhvilloi sot një takim me Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi dhe Nënkomisioneren Lealba Pelinku.
“Urova sot Ilirian Celibashin për emërimin e tij në pozicionin e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve në Shqipëri”,
“Diskutuam sfidat e rëndësishme me të cilat përballet KQZ-ja për të zbatuar me shpejtësi reformën zgjedhore të 5 qershorit, si dhe mënyrën se si BE mund të japë ndihmë teknike në prag të zgjedhjeve të prillit të ardhshëm”, u shpreh Soreca pas takimit.
Në njoftimin për shtyp, KQZ bëri të ditur se fokusi kryesor i takimit ishte mbështetja e Bashkimit Europian për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për zgjedhjet e datës 25 prill 2021.
Celibashi theksoi interesin e shtuar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për të bashkëpunuar me partnerë të rëndësishëm sikurse është Delegacioni evropian.
Ai u ndal në veçanti në dy çështje me prioritet të shtuar për KQZ-në: vlerësimin e mundësive për përdorimin e teknologjisë në zgjedhjet e 25 prillit 2021, në mënyrë të posaçme identifikimin biometrik të votuesve, si dhe vlerësimin e kushteve për të mundësuar votimin e emigrantëve shqiptarë pa qenë nevoja për tu paraqitur në një qendër votimi në Shqipëri.
Ambasadori Soreca shprehu gatishmërinë e plotë të Bashkimit Evropian për të asistuar KQZ-në detyrimet kryesore të saj siç është votimi elektronik dhe po ashtu në bashkëpunim me partnerë të tjerë ndërkombëtar votimi nga jashtë vendit.
Gjithashtu, duke e konsideruar situatën e pazakontë në të cilën ndodhemi për shkak të pandemisë Covid-19, Ambasadori Soreca ofroi mbështetjen e tij për identifikimin e praktikave më të mira të vendeve të BE (Gjermania dhe Holanda) të cilat do të organizojnë zgjedhjet në vendet e tyre, si një mundësi e mirë për të shkëmbyer ide për për organizimin e procesit zgjedhor në kushtet e pandemisë.
/a.a//r.e/
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.