Ballina Bota

MV – Masa të reja kundër COVID-19

SHKUP, 5 tetor /ATSH-AA/ – Maqedonia e Veriut ka miratuar masa të reja kundër përhapjes së koronavirusit të ri (COVID-19), pasi në tre ditët e fundit regjistroi rritje të rasteve të konfirmuara me këtë virus.

Natën e kaluar, qeveria pranoi masat e Komisionit për sëmundje infektive, duke ndaluar mbrëmjet muzikore dhe duke kufizuar numrin e mysafirëve në objektet hotelerike.

Masa vjen pasi gjatë tre ditëve të fundit në vend u raportuan mbi 600 raste të reja të koronavirusit, respektivisht në raportin e ditës së djeshme 191, të së shtunës 243 dhe të së premtes 225 raste të reja me COVID-19.

Po ashtu e shtuna shënoi numrin rekord të rasteve një-ditore që nga shpërthimi i pandemisë, pas 18 korrikut kur u shënuan 240 raste.

Sipas masave të reja qeveritare, në objektet hotelerike që shërbejnë pije dhe ushqim, përfshirë në pjesën e restorantit, nuk do të lejohen këngëtarët, grupet muzikore apo DJ, ndërsa numri maksimal i muzikës do të jetë i kufizuar në 55 decibel.

Në objektet hotelerike dhe kafeteri do të jetë i kufizuar në 4 numri i personave në tryezë dhe nuk do të lejohet shërbimi i mysafirëve që qëndrojnë në bar.

Numri i përgjithshëm i personave të infektuar me koronavirus në Maqedoninë e Veriut ka shkuar në 18 790, prej të cilëve 15 341 pacientë janë shëruar dhe 756 kanë vdekur./ /os/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMilot-Fier/ Shtyhet me 1 muaj afati për dorëzimin e ofertave
Artikulli tjetërAnulohet miqësorja Armeni-Shqipëri