Milot-Fier/ Shtyhet me 1 muaj afati për dorëzimin e ofertave

TIRANË, 5 tetor/ATSH/ Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë shtyn me 1 muaj afatin për dorëzimin e ofertave për ndërtimin e segmentit rrugor Milot-Fier.

“Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë me synim nxitjen e konkurrencës mbështetur në parimet e transparencës, duke vlerësuar situatën tepër të vështirë, të krijuar jo vetëm në vendin tonë, por në mbarë botën nga virusi COVID-19, gjë e cila ka ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në veprimtarinë e subjekteve tregtare dhe më gjerë, si dhe nisur nga kërkesa e vazhdueshme e operatorëve të ndryshëm, drejtuar Autoritetit Kontraktor për vështirësitë e hasura në përgatitjen, si dhe dorëzimin e të gjithë dokumenteve të kërkuara vlerëson nevojën e shtyrjes së afatit të dorëzimit të ofertave të procedurës me objekt “dhënie me koncesion/PPP projektim, ndërtim, operim, mirëmbajtje, rehabilitim dhe transferim i segmentit rrugor Milot-Thumanë-Kashar-Luzi i Vogël-Fier”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Sipas MIE-së, afati kohor për dorëzimin e ofertave do të jetë 28 tetori i këtij viti, ora 12:00.

Oferta kërkohet të paraqitet me mjete elektronike operatorët ekonomike duhet të dorëzojnë ofertën në mënyrë elektronike në faqen zyrtare të APP-së, www.app.gov.al
Afati kohor për hapjen e ofertave ishte brenda dhe jo më vonë se data 28 shtator. /a.gjonaj/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.