https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10155889451736523/
TIRANË, 17 qershor/ATSH-Maela Marini/ – “‘Rruga e Arbrit’ është kapitulli parë i një mandati me shumë kapituj të tillë për Shqipërinë që duam”.
Në vijim të turit të llogaridhënies publike në Peshkopi, Kryeministri Edi Rama u shpreh se “Dibra që duam, sot hap një faqe të re që do ta shkruajmë së bashku, me një vepër të madhe publike, një rrugë moderne me standarde europiane e vepra arti, e cila do ta bëjë Dibrën pjesë të metropolit shqiptar të së nesërmes dhe do të sjellë punësim e zhvillim ekonomik e social të qëndrueshëm, pas shumë dekadash izolim”.
Kryeministri Rama e konsideroi privilegj që të jetë sot në Dibër në muajin e 140-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit.
“Skënderbeun dhe besëlidhjen 140-vjeçare nuk deshëm dhe nuk duam t’i shohim e kremtojmë me daulle ceremonish. I deshëm për vendin, i dëshiruam fort për Dibrën tonë. I deshëm fort, me përparësi, aq sa pa ngurrim i identifikuam me ëndërr e përpjekje, me durim e me punë, për t’ia lidhur edhe më shumë brezit të kombit, me një vizion që do të jetë realitet dhe jo më mirazh: Rrugën e Arbrit!”, – tha Rama.
Ai premtoi se “prej sot, Dibra do të jetë edhe më shumë, edhe më mirë, një copë kraharor që rreh jetë dhe zhvillim në Shqipëri”.
“Kjo krahinë fisnike që aq shumë dha për atdhe, fe e flamur, me përçapje, stërmundime e vendime, për të cilat Abdyl Frashëri shkruan, se ‘deri në Berat e thellë në Toskëri, lidhën në një trup të vetëm myslimanë e të krishterë’, rresht sot e përgjithmonë së qenuri skaj e gërxh, qoshe e harruar dhe periferi”, – tha Rama.






















