Ballina Aktualitet

“Rruga e Arbrit”, çështje kombëtare

TIRANË, 17 qershor/ATSH-Maela Marini/ – “‘Rruga e Arbrit’ është një çështje kombëtare”.

Kështu deklaroi të dielën Kryeministri Edi Rama, gjatë takimit të zhvilluar në Peshkopi, në ceremoninë e nisjes së punimeve të “Rrugës së Arbrit”.

Kryeministri ngre pyetjen se “përse vallë, një copë rrugë, ngre kaq tallaz e kaq pikëpyetje, kur rrugë ndërtohen, kur rrugë me rëndësi nga ana tjetër ende mungojnë në vendin tonë, në pika të forta strategjike për zhvillimin e Shqipërisë?”.

“Sepse është një çështje drejtësie! Drejtësi e historisë, po aq sa drejtësi njerëzore. Drejtësi që shteti shqiptar ka detyrë absolute dhe shtrëngim moral, ta vërë dhe ta garantojë, një herë e përgjithmonë”, – tha Rama.

Dibra, vijoi Kryeministri është një krahinë e rrethuar nga të katër anët me male. “Ajo nuk është, siç kanë pretenduar, ose siç kanë dashur ta kthejnë zuzarët dhe dallkaukët e çdo kohe, në izolim nga pjesa tjetër e Shqipërisë, apo nga viset shqiptare jashtë kufijve të Republikës. Vetë natyra e ka pajisur këtë zonë në 6 pika me gryka të ngushta, që lejojnë komunikimin mes trevave”, – tha Rama.

Kryeministri theksoi se “‘Rruga e re e Arbërit’ do të rigjallërojë këto shtigje me të cilat Zoti bekoi Dibrën, po të cilat ua mbylli robi”.

“Rruga e Arbrit”, – tha Rama, – do të ndjekë vijën e karvaneve që ka lidhur historikisht Dibrën me kryeqytetin”.

“Prej Qafës së Murrës e asaj të Buallit, që lidh me bregdetin, grykës së Setës që të hedh në Shkodër, asaj të Radikës dhe të Drinit që hap Maqedoninë, Dibra gjithkaherë ka pasur vokacionin e një rrjeti komunikimesh mes bashkëkombasve dhe fqinjëve, gjithkaherë fatkeqësisht, të penguar e të vonuar, që nga pushtimet më të hershme e deri tek paudhësitë më të mbrame”, – vijoi Rama. /j.p/

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak“Rruga e Arbrit” kapitulli parë i mandatit “për Shqipërinë që duam”
Artikulli tjetërPARIS – TF1 regjistron 12,6 milionë telespektatorë për ndeshjen Francë-Australi