Ballina Bota

IRAN – Takim BE-E3-Rusi-Kinë për marrëveshjen bërthamore

TEHERAN, 7 qershor /ATSH-AFP/ – Ekspertët e shteteve, që vazhdojnë të jenë pjesë e marrëveshjes për programin bërthamor iranian, ndodhen sot për diskutime në Teheran.

Parashikuar prej shumë kohësh, takimi, me dyer të mbyllura, zhvillohet në kuadër të pasigurisë për të ardhmen e marrëveshjes që prej tërheqjes së SHBA-së në muajin maj dhe tensioneve diplomatike të shkaktuara nga njoftimi i bërë dje nga Irani të një plani që parashikon rritjen e kapaciteteve për pasurimin e uraniumit.

“Bëhet fjalë për një takim të Komisionit të përbashkët për marrëveshjen bërthamore iraniane në nivel ekspertësh të Iranit, të grupit E3 (Gjermani, Francë, Britani e Madhe) dhe të shërbimit diplomatik të Bashkimit Europian, të Kinës dhe Rusisë”, theksoi një burim diplomatik.

“Ky është një takim teknik me një plan ekonomik”, shtoi i njëjti burim.

Që prej tërheqjes së SHBA-së nga marrëveshja ndërkombëtare për programin bërthamor iranian, arritur në korrik 2015 në Vjenë, Kina, Rusia dhe Bashkimi Europian shprehën iniciativën e tyre për të shpëtuar këtë marrëveshje.

Por, rivendosja e sanksioneve amerikane kundër Iranit ka shkaktuar largimin e investitorëve të huaj të bendosur në vend pas vitit 2015./ /ec/ a.jor.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakVetingu, KPK konfirmon në detyrë prokurorin e Krimeve të Rënda, Dritan Prençi
Artikulli tjetërKOMENT – Trump i vetëm kundër të gjithëve në G7