Vetingu, KPK konfirmon në detyrë prokurorin e Krimeve të Rënda, Dritan Prençi

TIRANË, 7 qershor/ATSH/ – Prokurori pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, Tiranë, Dritan Prençi kaloi sot me sukses Vetting-un, pas vendimit të dhënë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.

Trupa gjykuese e përbërë nga Genta Tafa (Bungo), Pamela Qirko dhe Suela Zhegu vendosi konfirmimin e tij në detyrë.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e zhvilloi seancën dëgjimore për procesin e Vetingut në datën 5 qershor, ku në bazë të pikës 2 të nenit 4, të ligjit 84, të vitit 2016, seanca dëgjimore ndaj Dritan Prençit u zhvillua mbi kriterin pasuror, atë të figurës si dhe vlerësimin profesional.

Trupa asistohej nga sekretarja gjyqësore Olsida Doçaj dhe në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte John Leonardo.

Prençi është një nga prokurorët e çështjes “Tahiri”. /gj.mima//j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.