TIRANË, 8 mars/ATSH-A. Fortuzi/- Masat e shtuara nga Policia Kufitare dhe shkëmbimi i informacionit me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve në DVP, çuan në parandalimin dhe goditjen e një tjetër tentative për trafikim të drogave të forta.
“Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë, në zbatim të planit të posaçëm të masave për rritjen e kontrollit me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativës për trafikim të lëndëve narkotike, si dhe në bazë të analizës së riskut, dhe shkëmbimit të informacioneve me Sektorin për Hetimin e Narkotikëve, kanë përzgjedhur për kontroll të imtësishëm në vijën e dytë, automjetin tip “Mercedes-Benz” me drejtues shtetasin I. F., 40 vjeç dhe pasagjer shtetasin B. H., 49 vjeç, të dy banues në Korçë”,-, njofton Policia.
“Pas verifikimeve dhe kontrollit të ushtruar në automjet, punonjësit e Policisë Kufitare kanë vijuar me kontrollin fizik ndaj dy shtetasve të lartpërmendur. Si rezultat i kontrollit fizik, shtetasit B. H., i është gjetur e fshehur në trup një pako e presuar me lëndë të dyshuar narkotike e llojit kokainë me peshë 1028.2 gr, sasi e cila iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale”,- bëhet me dije nga Policia.
“Veprimet e mëtejshme procedurale dhe hetimore, u kryen nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve pranë DVP Korçë, të cilët bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve të sipërpërmendur për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë””,- njofton Policia.





















