TIRANË, 6 mars/ATSH/Ambasadori Gjerman në Shqipëri, Peter Zingraf ka informuar rreth Ligjit të ri të Imigrimit të Fuqisë Punëtore të Kualifikuar dhe rreth mundësive për punësim në Gjermani.
Përmes një videomesazhi, Zingraf thotë se ligji i ri që hyri në fuqi në 1 mars, zgjeron mundësitë për emigrim të fuqisë punëtore të kualifikuar nga e gjithë bota drejt Gjermanisë.
“Nga 1 marsi hyn në fuqi në Gjërmani ligji për “Emigrimin e Fuqisë Punëtore të Kualifikuar” . Ai zgjeron mundësitë për një emigrim të fuqisë punëtore të kualifikuar nga e gjithë bota drejt Gjermanisë. Çfarë do të ndryshojë? Ekzistojnë mundësi të reja për punonjësit e kualifikuar për të marrë më shpejt vizën nëse ata kanë një kualifikim profesional ose diplomë universiteti, e cila njihet në Gjermani. Por, ashtu si deri më sot, mbetet i vlefshëm rregulli: viza është e domosdoshme përpara largimit për në Gjermani. Për të përfituar nga Ligji i ri për Fuqinë Punëtore është e rëndësishme fillimisht të bëni njohjen e kualifikimeve dhe më pas të aplikoni për vizë. Diplomat e huaja universitare dhe kualifikimet profesionale si rregull duhet të njihen fillimisht nga institucionet gjermane. Informacionet i gjeni tek faqja e internetit të ambasadës Gjermane”, -thotë ambasadori Gjerman.
Më tej, ai sqaron se në Shqipëri, vitet e fundit është vënë re rritje e kërkesave për viza punësimi në Gjermani.
“Në Shqipëri po shohim vitet e fundit një kërkesë të madhe për viza punësimi në Gjermani. Rregullat e njohura, veçanërisht aksesi i lehtësuar në tregun e punës gjerman për punonjësit. E pak ose aspak të kualifikuar, mbeten ende në fuqi. Ne në ambasadë po bëjmë më të mirë tonë për t’u shërbyer sa më shpejt të jetë e mundur personave që kanë bërë tashmë një aplikim. Por ne kemi për momentin një kohë pritjeje më të gjatë se një vit për aplikuesit shqiptarë pa kualifikim profesional ose diplomë universitare. Më lejoni të theksoj në këtë kontekst se qëllimi ynë prej 20 vitesh është të përmirësojmë shanse dhe mundësitë këtu në Shqipëri. Për këtë kemi financuar që prej vitit 1988 projekte të bashkëpunimit për zhvillim në vlerën e mbi një miliard eurove. Këtu e kam fjalën kryesisht për projekte të infrastrukturës si furnizimi me ujë të pijshëm por veçanërisht edhe për zhvillimin e turizmit, zhvillimin rural, mbështetjen e Startup-eve dhe arsimin dual profesional. Prandaj informohuni edhe për perspektivat në Shqipëri, për shembull tek Qendra Gjermane e Informaconit për Migracion, Arsim Profesional dhe Karrierë(DIMAK) në Tiranë dhe Shkodër”, -thekson ambasadori Gjerman në Shqipëri. z.tosku.






















