TIRANË, 28 nëntor /ATSH/ -Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka ftuar të gjithë qytetarët që në këtë 28 nëntor të qëndrojnë të bashkuar deri në rikthimin e normalitetit të plotë të jetës për të gjithë familjet shqiptare dhe fëmijët e tyre
“Të dashur bashkëatdhetarë kudo ku jeni! Në këtë ditë që është më e rëndësishmja për shtetin dhe kombin tonë, por që na gjeti në zi dhe në betejë me pasojat e tmerrshme të një tërmeti të pamëshirshëm, ju ftoj të angazhohemi për të nderuar Flamurin tonë Kombëtar dhe të qëndrojmë të bashkuar deri në rikthimin e normalitetit të plotë të jetës për të gjithë familjet shqiptare dhe fëmijët e tyre”, shprehet Meta.
Sot, thekson Meta, “e nisa këtë ditë të bekuar të kombit tonë duke vizituar familjet që kanë mbetur pa strehë në Sukth, ku takova edhe Amelian, e cila edhe pse ka dy ditë që jeton në çadër e në kushte të veshtira, sot kishte zgjedhur të vishej me ngjyrat e Flamurit Kombëtar”.
“Sa më shumë të bëjmë sot për këta fëmijë, aq më shumë ata do ta nderojnë Flamurin tonë Kombëtar dhe shtetin e tyre kur të rriten”, përfundon Meta.
/gj.mima/






















