PRISHTINË, 28 tetor/ATSH/ Ndërsa akoma nuk është zyrtarizuar rezultati i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 6 tetorit, grupet e punës së Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë vazhduar me takimet paraprake, në prag të koalicionit paszgjedhor të këtyre dy partive.
KosovaPress raporton se ka përfunduar takimi rreth triorësh i grupeve të punës të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Pas takimit për media është shprehur Glauk Konjufca nga LVV, i cili tha se kanë biseduar rreth programit për ekonominë ku kanë rënë dakord për rreth 90% të këtij programi me LDK-në.
“Folëm vetëm për ekonomi. Janë ngritur mbi 40 tema. Janë folur për 40 çështje dhe për 90 % jemi pajtuar. Për 10 % do t’i kurorëzojmë në takimet e ardhshme. Në qeverinë e ardhshme duam që diskutimet të jenë sa më të thella. Ka qenë një lloj përballje e programit vetëm ekonomik. Kërkoj që të më kurseni prej detajeve”, – tha Konjufca pas mbylljes së takimit të sotëm, i cili u zhvillua në zyrat e LDK-së.
Ai shtoi gjithashtu se në takimet e ardhshme të grupeve të punës do të diskutohen temat në fushën e drejtësisë. /KosovaPress/






















