BRUKSEL, 22 maj /ATSH-AFP/ – Ministrat europianë të Tregtisë i druhen faktit që propozimi tregtar i BE-së për të ndryshuar qëndrimin e Donald Trumpit për zbatimin e tarifave doganore ndëshkuese për çelikun dhe aluminin është i pamjaftueshëm, në një moment kur Uashingtoni po shkon drejt një marrëveshje me Pekinin.
”Besoj se SHBA-ja vlerëson se kjo gjë nuk është e mjaftueshme”, paralajmëroi komisionerja për Tregtinë, Cecilia Malmstrom, në hapje të një takimi ministror në Bruksel.
”Situata mbetet ende e paqartë dhe afati përfundon më 1 qershor”, rikujtoi ajo.
Liderët europianë ranë dakort javën e kaluar në samitin e Sofjes në lidhje me kushtet që ata janë të gatshëm të parashtrojnë në tryezë për t’iu shmangur taksimin doganor prej 25% mbi çelikun dhe 10% për aluminin, tarifa të njoftuara në mars nga Donald Trump dhe për të cilat ata janë të përjashtuar përkohësisht deri më 1 qershor.
Ata janë tashmë të gatshëm për të diskutuar, në rast të një përjashtimi përfundimtar, të një marrëveshje tregtare të kufizuar me SHBA-në dhe për të hapur tregun e tyre ndaj gazit natyror amerikan.
”Nuk ka arsye për të qënë optimistë”, shprehej dje një burim diplomatik.
Të paktë janë ata në Bruksel që mund të parashikojnë reagimin e Donald Trump, të cilit i mbetet vendimi përfundimtar për një përjashtim të mundshëm të BE-së, e cila ka përfituar tashmë nga dy lëshime të përkohshme.
”Duhet të jemi të përgatitur për skenare të ndryshme, në mënyrë të veçantë në atë situatë ku taksat amerikane do të zbatohen në mënyrë përfundimtare në BE”, pohoi Malmstrom.
Në këtë rast, Brukseli ka përgatitur kundërmasa për një listë produktesh ikonë amerikane si gjalpi i kikirikut, xhinset apo burboni./ /v.b/ a.jor.














