TIRANË, 3 korrik/ATSH/-Segmenti i tretë i Bulevardit të Ri të Tiranës ka përfunduar, çka i hap rrugën realizimit të projektit për sheshin fundor.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, inspektoi sot përfundimin e punimeve të kryera në këtë segment, i shoqëruar edhe nga përfaqësuesi i Fondit për Zhvillim të Abu-Dhabit, Khalid Mansoori dhe ambasadori i Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohammed Meer Al Raeesi.
Veliaj u shpreh i kënaqur që brenda mandatit të parë u bë e mundur përfundimi i një prej projekteve më të mëdha në Tiranë, i cili i jep qytetit një “shtyllë kurrizore” dy herë më të gjatë, si dhe një zhvillim të balancuar.
Ai bëri të ditur se me përfundimin e punimeve në këtë segment të fundit projekti i Bulevardit të Ri konsiderohet i përfunduar, para se të realizohet edhe projekti i sheshit fundor, i ngjashëm me sheshin “Nënë Tereza”. “Kemi mbaruar segmentin final të Bulevardit dhe jam shumë i lumtur që miqtë tanë, ambasadori i Emirateve dhe Fondi i Abu-Dhabit, janë këtu me ne, për të parë se si në kohë rekord dhe me efiçencë maksimale kemi arritur që të përfundojmë një nga projektet më jetike të Tiranës, kemi vënë një shenjë që do të jetë këtu për nipat e mbesat e të gjithë atyre që kanë punuar”, theksoi Veliaj.
Ai shtoi se në këto 4 vite u rikuperua puna e pa bërë nga administrata e mëparshme, ndërsa nënvizoi se e gjithë zona përreth bulevardit ka nisur të marrë një zhvillim të madh. “Projekti ‘lloci’, e thonë tironsit, për nja 4 vite. Çfarë ndodhi, ndodhi, por u munduam të rikuperonim shumë shpejt kohën që humbëm në ato 4 vite. Më vjen mirë që tani jemi gati vetëm për sheshin monumental, që duam të bëjmë në fund të Bulevardit dhe mezi pres të shqyrtojmë 10-15 aplikimet e para që na kanë ardhur për zhvillime. Dua të falenderoj kolegët tanë nga Fondi i Abu Dhabit që besuan tek ne. Më kujtohen ditët e para të hezitimit, por fakti që patën besim, që i dhanë një shans të dytë administratës së re, që të rikuperonim kohën e humbur, më bën të ndihem shumë krenar”, shtoi Veliaj.
Ambasadori i Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohammed Meer Al Raeesi, falenderoi Bashkinë e Tiranës për bashkëpunimin për realizimin e këtij projekti, ndërsa vlerësoi edhe cilësinë e punimeve të kryera.
Drejtori i Financave të Fondit për Zhvillim i Abu-Dhabit u shpreh i lumtur që bashkëpunimi me bashkinë e Tiranës finalizohet me përfundimin e këtij projekti që do sjellë zhvillim në Tiranë.
z.tosku/ /a.g/




























