TIRANË, 3 korrik/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla uroi sot David Sassoli-n për zgjedhjen e tij si presidenti i ri i Parlamentit Europian.
“Urime mikut të Shqipërisë socialdemokratit David Sassoli për zgjedhjen si President i Parlamentit Europian. I kënaqur për rolin e tij të rëndësishëm si Kryetar i Grupit të Miqësisë me Shqipërinë. Unë sapo i dërgova urimet e mia më të mira dhe pres të takohem së shpejti me të”, tha Balla.
Eurodeputeti italian David Sassoli është presidenti i ri i Parlamentit Europian, pas votimit të dytë, ku mori 345 vota pro, kundrejt shumicës së kërkuar prej 334 votash.
Lajmi u bë i ditur nga presidenti në detyrë i Parlamentit Europian, Antonio Tajani. Sassoli nuk arriti të fitonte në raundin e parë, por pas konsultimesh mes eurodeputetësh u arrit që të konfirmohej zgjedhja e tij./m.m/ /a.g/























