TIRANË, 8 maj/ATSH/-Disa projekte të rëndësishme do të investohen nga qeveria në Lezhë me impakt të jashtëzakonshëm në turizëm, infrastrukturë dhe agro-turizëm.
Benet Beci, Drejtor Ekzekutiv i Fondit Shqiptar të Zhvillimit e konsideroi Lezhën si embrion të zhvillimit të vendit, ç’ka sipas tij do të përmirësojë mirëqenien tonë dhe rajonit.
Ai shpjegoi se falë pozicionimit gjeografik, bashkë me atë të Shkodrës konsiderohet si Porta kryesore e Veriut të Shqipërisë. Ndërkaq, ai vuri në dukje se Lezha ka pozicionim optimal në lidhje me kryeqytetin, aeroportin dhe portin e Durrësit duke e bërë atë lehtësisht të aksesueshëm.
Porti i Shëngjinit, nga ana tjetër ofron një potencial të rëndësishëm për transportin detar kombëtar dhe ndërkombëtar turistik dhe për peshkimin.
“Lezha ka një bregdet 38 km të gjatë dhe përfaqëson një thesar burimesh natyrore, kulturore dhe trashëgimie historike, si zona të mbrojtura mjedisore (Laguna Kune Vain, Rana e Hedhun), apo rreth 25 monumente kulturore e historike si Kalaja e Lezhës, Ura e Zadrimes, Rrënojat e Lisus, duke zotëruar kështu një potencial të madh, por ende jo plotësisht të shfrytëzuar turistik dhe agropërpunues”.
Megjithatë, mundësitë e zhvillimit ekonomik do të shumëfishoheshin nëse i shohim si pjesë e një ekonomie të integruar rajonale. Në këtë kontekst, Beci theksoi se qarku i Lezhës duhet parë si pjesë e një korridori turistik rajonal që përfshin, Shkodrën, Alpet Shqiptare, Malin e Zi (Ulqinin) dhe në jug të saj deri në Durrës.
Ai vuri në dukje se “ne gjykojmë që zhvillimi i qëndrueshëm, menaxhimi i burimeve natyrore dhe përmirësimi i infrastrukturës do të vijnë falë mëshimit të projekteve në këto fusha, ndërsa shprehu bindjen se transformimi i zonës së Lezhës, do t’i japë një zhvillim të paprecedentë të gjithë rajonit. z.tosku/ /a.g/























