VARSHAVË, 16 prill /ATSH-AFP/ – Senati polak, i mbizotëruar nga konservatorët, miratoi sot amendamentet që përmirësojnë lehtësisht reformën e kundërshtuar të drejtësisë që kishte shkaktuar reagim të ashpër të Komisionit Europian.
Dhoma e Ulët e Parlamentit polak miratoi javën e kaluar një ndryshim të reformës së drejtësisë, për t’iu përgjigjur shqetësimeve të Brukselit.
Ndryshimet, tashmë të miratuara javën e kaluar nga Dhoma e Ulët e Parlamentit, përfshijnë ligjin mbi Këshillin Kombëtar të Magjistraturës (KRS), ligjin mbi Gjykatat e të Drejtës së Përbashkët dhe ligjin mbi Gjykatën e Lartë.
Ndërkohë që konservatorët theksojnë se këto ndryshime i përgjigjen kërkesave të Brukselit, opozita dhe Gjykata e Lartë i gjykojnë si fiktive.
Gjithashtu, një prej amendamenteve të votuara synon të limitojë pushtetin e Ministrisë së Drejtësisë për të shkarkuar një president apo zëvendëspresident të Gjykatës.
Tashmë, ministri nuk mund ta bëjë këtë pa kërkuar një mendim të kolegjit të Gjykatës (organ i zgjedhur nga vetë gjyqtarët) dhe Këshilli Kombëtar i Magjistraturës (KRS).
Duke iu përgjigjur shqetësimeve të Brukselit, një amendament tjetër lejon tashmë të njëjtën moshë për të dalë në pension, 65 vjeç për të dyja gjinitë, nga 65 për burrat dhe 60 për gratë që ishte në fillim, duke lejuar gjithashtu gjyqtaret të dalin në pension në moshën 60-vjeçare nëse dëshirojnë./
/ec/






















