Reformat në sistemin arsimor, Shqipëria histori suksesi për kurrikulat

67

Nikolla: 0 probleme që vijnë për shkak të moskomunikimit të Ministres së Arsimit me aktorët e sistemit

TIRANË, 16 prill /ATSH/ – Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Lindita Nikolla, në analizën e gjashtëmujorit të parë të mandatit, përpara Grupit Parlamentar Socialist, raportoi se një nga arritjet kryesore në sistemin arsimor është fakti që ky sektor ka 0 probleme që vijnë për shkak të moskomunikimit të Ministres së Arsimit me aktorët e sistemit.

“Kemi arritur të krijojmë një standard të komunikimit me të gjithë aktorët e sistemit. Pra është kthyer në një standard të punës sime kontakti dhe komunikimi në çdo hallkë të sistemit dhe kjo na ka mundësuar të ndërmarrim reforma të rëndësishme në shërbim të rritjes pozitive të këtij sektori”, tha Nikolla, duke evidentuar se ky standard ka mundësuar që të ndërmerren reforma të rëndësishme në rritjen e performancës së këtij sektori.

Një arritje tjetër, vijoi ministrja, është se Shqipëria në të gjitha forumet ndërkombëtare sillet si shembull suksesi për kurrikulën që kemi krijuar.

“Kemi transformuar në 4 vite të tërë sistemin parauniversitar. Kishim një sistem arsimor fiktiv, ndërsa sot kemi ngritur sistemin mbi baza të akredituara sipas standardeve bashkëkohore duke sjellë një qasje të re në sektorin e arsimit, që ka të bëjë me atë, se sa janë në gjendje nxënësit të zbatojmë njohuritë që shkolla ofron”, u shpreh Nikolla.

Ministrja u ndal gjatë raportimit të saj edhe procesin e ristrukturimit të Drejtorive e Zyrave Arsimore në të gjithë vendin. Një nga problemet që ka pasur arsimi, tha ajo, ka qenë matja e efektshmërisë në të gjithë sektorët.

“Nuk ka pasur tregues për të matur performancën, ashtu sikundër është ndërprerë një damar i rëndësishëm i inspektimit në shkolla. Inspektimi është i qendërzuar vetëm në Tiranë. Ndaj në çdo bashki do të ketë zyrë arsimore dhe çdo shkollë do të ketë inspektorin e vet, për të realizuar një mbulim real informimi për problemet dhe arritjet me qëllim dhe ndërhyrjen në kohë për çdo çështje”, tha Nikolla.

Ndërsa bëri të ditur se, fondi për investimet në sistemin arsimor këtë vit kap shifrën e 1.5 miliardë lekë.

“Komiteti për Zhvillimin e Rajonave ka shpallur thirrjet për investimet në sistemin e arsimit dhe janë njësitë e qeverisjes vendore që duhet të paraqesin preventivët për të gjithë nevojat që kanë. Ky buxhet do të mundësojë rikonstruksionin e 75 shkollave. Ky buxhet do t’i dedikohet shkollave për rikonstruksione”, u shpreh Nikolla.

Ndërsa bëri me dije se Agjencia e Kërkimit Shkencor ka akredituar 1 milion usd në mbështetje të talenteve në fushën shkencore. /e.xh//e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.