Ballina Aktualitet

Reforma në Drejtësi, Manja: Diamanti i reformave të mazhorancës

TIRANË, 9 janar/ATSH/ – Deputeti i Partisë Socialiste, njëkohësisht kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, ka reaguar pas publikimit të një rasti abuziv nga emisionet investigative, ku një gjyqtar i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, me inicialet R.L, shiste drejtësinë duke kërkuar favore seksuale.

Duke u ndalur te rasti në fjalë, deputeti Manja shprehet se vetingu dhe Reforma në Drejtësi janë diamante të reformave, duke theksuar se asgjë nuk do ta pengojë mazhorancën në misionin e saj për çrrënjosjen e së keqes dhe mbjelljen e drejtësisë shqiptare.

“Pas rastit të turpshëm, denoncuar nga emisioni “Stop”, ku gjyqtari i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, R.L, shiste drejtësinë me euro dhe kërkonte për bakshish favore seksuale, jam më i bindur se kurrë se vetingu dhe reforma në drejtësi është diamanti i reformave të kësaj shumice qeverisëse. Asnjë gur në këpucë, asnjë shkop nën rrota, asnjë thurje intrige djallëzore e netëve të errëta, nuk do të na ndalojë në pastrimin dhe ç’rrënjosjen e të keqes së mbjellë në drejtësinë shqiptare, aty ku dhe kanë ndodhur padrejtësitë më të mëdha të kohës që po jetojmë”, shprehet Manja.

/e.caushi/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMiratohet vendimi për “Financimin dhe Organizimin e Samitit të Dytë të Diasporës”
Artikulli tjetërLicencimi i DH Albania, Sekretariati i Licencimit: Është zbatuar procedura ligjore