Licencimi i DH Albania, Sekretariati i Licencimit: Është zbatuar procedura ligjore

TIRANË, 9 janar /ATSH/- Sekretariati Teknik i Komisionit të Posaçëm të Licencimit, referuar kronikës së publikuar nga “Zëri i Amerikës” se shoqëria DH Albania është favorizuar në sigurimin e licencës në zbatim përpara regjistrimit në QKB, sqaron se nga ky komision është zbatuar procedura ligjore dhe mbledhja e datës 30 Korrik 2018 ka marrë në shqyrtim aplikimin e shoqërisë DH Albania për njësimin e licencës së huaj, vetëm pasi shoqëria ka plotësuar të gjithë dokumentacionin ligjor të kërkuar, përfshirë edhe dokumentin e pretenduar nga “Zëri i Amerikës”, aktin e regjistrimit në QKB.

“Nga fillimi i procedurës së aplikimit deri në kalimin e dosjes për vendimmarrje drejt Komisionit, subjektet sipas ligjit kanë të drejtën të depozitojnë dokumente plotësuese në funksion të aplikimit të tyre. Sekretariati shqyrton dhe relaton drejt Komisionit vendimmarrës vetëm aplikimet të cilat rezultojnë me dosje të plotë të dokumentacionit ligjor të kërkuar”, thuhet në njoftimin për shtyp të Sekretariatit.

Sekretaria Teknike e Komisionit të Posaçëm të Licencimit, pasi vlerësoi plotësimin e dokumentacionit të paraqitur referoi aplikimin e kësaj shoqërie, së bashku me aplikimin e 33 shoqërive të tjera, ku paraqiteshin edhe 3 aplikime shoqërish për njehsim të licencës nga vendi i origjinës ngjashmërisht me aplikimin e shoqërisë DH Albania, pranë Komisionit, i cili në mbledhjen e datës 30.07.2018 shqyrtoi të gjitha aplikimet që rezultonin të plota në përputhje me kërkesat ligjore. Sipas përcaktimeve të kësaj rregullore, Sekretariati Teknik shqyrton aplikimet që rezultojnë me dokumentacion provues dhe nëse rezulton i plotë, ja relaton Komisionit për shqyrtim në mbledhjen e radhës. Në rastin konkret, sekretariati ja ka dërguar dosjen Komisionit për shqyrtim dhe vendimmarrje vetëm pasi dosja është plotësuar me të gjitha dokumentet nga subjekti kërkues.

Bazuar në shkronjën “a”, të pikës 3, Kreu III, të rregullores së miratuar me VKM nr.42, datë 16.01.2008, i ndryshuar, si dhe mbështetur në dokumentacionin e paraqitur nga shoqëria, Komisioni miratoi njehsimin e licencës së shoqërisë, duke u bazuar në paragrafin 2, të gërmës ”a”, të pikës 3, Kreu III, të rregullores, që përcakton se “Shoqëritë e huaja që aplikojnë për licencim njehsojnë licencën që disponojnë nga vendi i origjinës duke zbatuar të njëjtat procedura për kategorizimin dhe klasifikimin, si dhe shoqëritë shqiptare”.

Në bazë rregullores Kreu II, pika 4, nënpika V, të VKM nr.42, datë 16.01.2008, i ndryshuar, Sekretaria e Komisionit, kur aplikimi rezulton me dokumentacion të plotë, brenda 7 ditëve i propozon komisionit shqyrtimin e kërkesës. Sekretaria për çdo rast i referon të gjitha aplikimet e paraqitura pranë Komisionit dhe i prezanton të gjitha aplikimet që janë të plotësuara me dokumentacionin e kërkuar sipas rregullores. Edhe në këtë rast, pranë komisionit është relatuar ky aplikim brenda afatit ligjor. Dokumentacioni i paraqitur nga shoqëria, përshkruhet si me poshtë:

–        Kërkesa, e nënshkruar nga përfaqësuesi i degës së shoqërisë së huaj, Avdjol Dobi.

–        Formular aplikimi i shoqërisë, ku jepen të dhënat e shoqërisë, rezidenca dhe adresa, të dhënat e kontaktit, përfaqësuesin ligjor, drejtuesit teknik me të cilët kërkon të përfitojë njehsimin e licencës së huaj.

–        Akti i themelimit të shoqërisë meme, (përkthimi dhe noterizimi i dokumentit të apostiluar nga vendi i origjinës).

–        Statuti i shoqërisë meme (përkthimi dhe noterizimi i dokumentit të apostiluar nga vendi i origjinës).

–        Ekstrakti historik i regjistrit tregtar të degës së shoqërisë së huaj të regjistruar në Shqipëri pranë QKB, mbi të dhënat e subjektit – i njehsuar nga noteri Xhevahire Brahaj.

–        Licenca e shoqërisë Dunwell Haberman LLC, me nr.DH30561209, me vlefshmëri deri më 22.08.2023, lëshuar nga Bordi i Shtetit të Delaware (përkthimi dhe noterizimi i dokumentit të apostiluar nga vendi i origjinës).

–        Dokument mbi sistemin e klasifikimit të licencave në vendin e origjinës (përkthimi dhe noterizimi i dokumentit të apostiluar nga vendi i origjinës).

–        Vërtetimi për taksat, falimentin, çështje gjyqësore ose veprimtari joligjore të shoqërisë meme (përkthimi dhe noterizimi i dokumentit të apostiluar nga vendi i origjinës).

–        Bilanci 2017, me përmbledhje për 3 vitet e fundit te shoqërisë mëmë (përkthimi dhe noterizimi i dokumentit të apostiluar nga vendi i origjinës).

–        Kontratat e punës midis shoqërisë dhe drejtuesve teknikë (përkthimi dhe noterizimi i dokumentit të apostiluar nga vendi i origjinës).

–        Diplomat e drejtuesve teknik (përkthimi dhe noterizimi i dokumenteve të apostiluara nga vendi i origjinës):

–        CV dhe rekomandime për drejtuesit teknikë (të përkthyera nga përkthyes shqiptar dhe te noterizuara).

–        Vetdeklarime te drejtuesve teknike

–        Pagesa e tarifës së aplikimit 1 euro

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka kërkuar verifikim dokumentacioni, nëpërmjet kanaleve diplomatike, në SHBA. Pas përgjigjes se marre ku rezulton se dokumentacioni që lidhet me datën e krijimit të shoqërisë në vendin e origjinës, nuk është i njëjtë me dokumentacionin e paraqitur prej degës së shoqërisë në Shqipëri gjate aplikimit për njehsimin e licences ne vendin e origjinës. Ministria ka përcjellë trajtimin e këtij rasti pran sekretarisë teknike të Komisionit të Posaçëm, i cili u trajtua në një mbledhje te posaçme dhe u morr vendimi Nr. 24, DATË 13. 12. 2018, per revokimin e licences se njehsuar.

I gjithë dokumentacioni tanimë është në dispozicion të organit të akuzës, i cili po kryen hetimet e nevojshme për zbardhjen e asaj çka ka ndodhur dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të përgjegjësve për aktin e falsifikimit, thuhet në njoftimin për shtyp. e.xh/e.caushi/

 

 


Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.