Ballina Bota

ROMË – Italia përkujton të rënët dhe Forcat e Armatosura, Meloni: Shërbimi ndaj vendit kërkon sakrifica

ROMË, 4 nëntor /ATSH-ANSA/ – Italia kremton sot Ditën e Unitetit Kombëtar dhe të Forcave të Armatosura, me ceremoni zyrtare në Romë, në nderim të historisë së vendit dhe të ushtarakëve që kanë humbur jetën në shërbim të atdheut.

Ceremonia kryesore u zhvillua në monumentin e Altarit të Atdheut (Altare della Patria), në sheshin Venezia, ku presidenti italian, Sergio Mattarella, i shoqëruar nga ministri i Mbrojtjes, Guido Crosetto, vendosi një kurorë me dafina në varrin e Ushtarit të Panjohur.

Në ceremoni morën pjesë edhe kryeministrja Giorgia Meloni, presidentët e Dhomës së Deputetëve dhe Senatit, Lorenzo Fontana dhe Ignazio La Russa, si dhe përfaqësues të lartë të institucioneve dhe Forcave të Armatosura.

Ceremonia u shoqërua me himnin kombëtar dhe një minutë heshtjeje në kujtim të të rënëve.

Më pas, avionët e skuadriljes italiane të akrobacisë ajrore “Frecce Tricolori” fluturuan mbi sheshin Venezia, duke lënë pas tym me ngjyrat e flamurit italian, të kuqe, të bardhë dhe të gjelbër.

Kremtimet e këtij viti zhvillohen në një atmosferë zie, pas vdekjes së katër ushtarakëve italianë, në një aksident me helikopter gjatë një stërvitjeje në Bosnjë-Hercegovinë javën e kaluar.

Në mesazhin e tij me rastin e kësaj dite, presidenti Mattarella theksoi se përkujtimi merr një rëndësi të veçantë këtë vit, kur Italia shënon 80-vjetorin e referendumit të vitit 1946, përmes të cilit qytetarët zgjodhën republikën.

Ai nënvizoi se betimi i Forcave të Armatosura ndaj Republikës mbështetet në vlerat e Kushtetutës dhe në parimet që lidhin kujtesën historike me shpresën për të ardhmen.

Mattarella kujtoi gjithashtu se 4 nëntori përfaqëson përfundimin e procesit të bashkimit të Italisë dhe rrugëtimin që çoi drejt lirisë dhe demokracisë, duke i dhënë vendit një rol të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare përmes politikës së paqes dhe bashkëpunimit.

Presidenti italian vuri në dukje se, krahas konflikteve tradicionale që vazhdojnë të shkaktojnë viktima në disa rajone të botës, përfshirë Evropën, siguria përballet sot edhe me kërcënime të reja, si dezinformimi, sulmet kibernetike, konkurrenca në hapësirë dhe përdorimi gjithnjë e më i gjerë i inteligjencës artificiale dhe sistemeve autonome.

Sipas tij, kjo situatë kërkon modernizimin e Forcave të Armatosura, përfshirjen e teknologjive të reja dhe forcimin e kapaciteteve mbrojtëse për sfidat e së ardhmes. Ai theksoi gjithashtu nevojën urgjente për krijimin e një mbrojtjeje të përbashkët evropiane, në plotësim të Aleancës Atlantike.

Edhe kryeministrja Giorgia Meloni përkujtoi katër ushtarakët e vrarë në Bosnjë-Hercegovinë, duke theksuar se shërbimi ndaj vendit kërkon përgjegjësi, përkushtim dhe sakrifica të mëdha.

“Pas çdo uniforme qëndrojnë gra dhe burra që kanë bërë një zgjedhje të vetëdijshme: të vendosin interesin e kombit përpara interesit të tyre personal, duke marrë përsipër përgjegjësi, duke përballuar sakrifica dhe, kur është e nevojshme, duke rrezikuar jetën”, deklaroi Meloni në një mesazh të publikuar në rrjetin social X.

Ajo shtoi se mendimet e vendit janë sot me ushtarakët e rënë, familjet e tyre dhe të gjithë ata që shërbejnë çdo ditë me përkushtim për Italinë.

Kremtimet do të vijojnë në Firence, ku presidenti Mattarella do të marrë pjesë në ceremoninë ushtarake në Piazzale Michelangelo.

Ndërkohë, në Romë, në zonën e Circo Massimo, është ngritur “Villaggio Difesa”, një hapësirë e hapur për publikun nga 30 tetori deri më 4 nëntor, ku vizitorët mund të njihen nga afër me pesë strukturat kryesore të mbrojtjes italiane: Ushtrinë, Marinën, Forcat Ajrore, Karabinierët dhe Guardia di Finanza.

Programi përmbyllet në mbrëmje me aktivitetin artistik “Insieme – La forza che unisce” (Së bashku – Forca që bashkon), kushtuar grave dhe burrave me uniformë, me muzikë, dëshmi personale dhe pjesëmarrjen e artistëve italianë. Aktiviteti do të transmetohet në televizionin publik Rai 1.

Dita e Unitetit Kombëtar dhe e Forcave të Armatosura shënohet çdo vit më 4 nëntor dhe lidhet me përfundimin e Luftës së Parë Botërore për Italinë, pas hyrjes në fuqi të armëpushimit të Villa Giusti në vitin 1918. //a.i/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakZëvendësimi i kripës së zakonshme në atë me kalium parandalon tre milionë vdekje në vit në mbarë botën
Artikulli tjetërGogu: Rreth 30 miliardë lekë për drejtësinë në 2027-ën, buxheti shkon te qytetari