TIRANË, 11 dhjetor /ATSH/ – Shqipëria ka bërë përparime të ndjeshme në rrafshin politik, ekonomik dhe shoqëror, edhe në fushën e të drejtave të njeriut.
Kryetari i Prezencës, ambasadori Bernd Borchardt, në konferencën e përvitshme organizuar nga Zyra e Avokatit të Popullit u shpreh se ky institucion i ofron shoqërisë shqiptare një shërbim të paçmueshëm.
“Ju siguroni respektimin e të drejtave kushtetuese, ju punoni në këtë drejtim. Gjithashtu, ju e çoni përpara programin e të drejtave të njeriut në përputhje me detyrimet ndërkombëtare të vendit. Kjo është një detyrë vigane dhe një përgjegjësi e madhe që rëndon mbi shpatullat tuaja”, iu drejtua ai Avokates së Popullit.
“Prezenca e OSBE-së ka dhënë mbështetje të qenësishme gjatë rrugës, duke e promovuar aktivisht programin e të drejtave të njeriut në përputhje me mandatin tonë. Me krenari edhe sot, ende vazhdojmë të mbështesim vendin në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut”, tha Borchardt.
“Jemi krenarë që kemi luajtur përgjatë viteve një rol të fortë mbështetës për themelimin e Zyrës së Avokatit të Popullit duke hartuar akte nënligjore, mbajtur trajnime dhe organizuar veprimtari të tjera”, tha ai.
“Duke qenë se ky institucion është një pikë referimi për një demokraci funksionale, mbetet ende një pjesë të rëndësishme për t’u ndjekur: njerëzit duhet të mësojnë më shumë rreth Avokatit të Popullit, ta dinë mirë se çfarë mund të bëjë kjo zyrë për ta. Mund t’i shpjegoni atyre se çfarë mund të bëni për ta, me qëllim që të gjithë shqiptarët të mund t’i ndajnë ankesat e tyre me ju nëse të drejtat e tyre nuk respektohen nga institucionet publike”, theksoi Borchardt.
“I nxis organet e tjera përbërëse të demokracisë shqiptare që t’i kushtojnë vëmendjen dhe garantojnë mbështetjen e duhur Avokatit të Popullit, dhe veçanërisht vëmendjen e duhur. Kuvendi nuk i kushton vëmendjen e duhur shumë prej raporteve të Avokatit të Popullit në lidhje me çështje të veçanta, siç ndodhi më herët këtë vit në lidhje me raportin për shpronësimet. Avokati i Popullit mund të kontribuojë pozitivisht për një demokraci shqiptare të shëndetshme dhe me reputacion të mirë, në qoftë se këtij institucioni i jepet mundësia për ta bërë këtë. Shpresoj që kjo konferencë do të prodhojë impulsin e duhur për ta çuar Zyrën e Avokatit të Popullit më përpara në këtë drejtim”, tha Borchardt.
/gj.mima/j.p/


























