Protesta e studentëve, Mesi: Qeveria, vullnet për zgjidhje të përbashkëta

TIRANË, 11 dhjetor/ATSH/ “Kjo qeveri ka dhënë tashmë provat se kushdo mund të protestojë dhe të shprehet lirisht, sikurse ka reflektuar gjithmonë gatishmëri për të dëgjuar çdo problem dhe gjetur zgjidhje të përbashkëta”.

Kështu deklaroi sot zv.kryeministrja Senida Mesi, e cila mori pjesë në Konferencën Vjetore të Avokatit të Popullit (2018), mbi 70-vjetorin e Deklaratës Universale të OKB-së për të Drejtat e Njeriut.

Duke marrë shkas edhe nga zhvillimet më të fundit të protestës së mbajtur nga studentët, Mesi nënvizoi vullnetin e plotë të qeverisë shqiptare për të dëgjuar zërin e kujtdo dhe për të ofruar zgjidhje në drejtim të së mirës së përbashkët.

“Sot, në kuadër të Deklaratës Universale të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, kujtojmë se sa shumë kemi avancuar, kujtojmë që të drejtat e njeriut nuk janë fituar lehtë dhe është detyra jonë që të punojmë të gjithë së bashku në mënyrë konstante për t’i promovuar dhe mbrojtur ato”, tha Mesi.

Shqipëria, tha ajo, “ka përparuar në axhendën e saj institucionale në drejtim të ruajtjes, promovimit dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut”.

Vendi ynë, tha Mesi, ka ndërmarrë nisma të shumta për realizimin e parimeve të lirisë, të drejtave të njeriut dhe demokracisë, parime themelore që 25 vjet më parë dukeshin të pamundura për t’u realizuar.

“Si anëtar i NATO-s dhe vend kandidat në BE, si dhe në kuadër të implementimit të “Axhendës 2030” dhe “Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm”, Shqipëria ngelet tërësisht e vendosur në konsolidimin e shoqërisë dhe vlerave demokratike, ku dialogu, mirëkuptimi dhe bashkëpunimi duhet të jenë bazë dhe qasja e vetme që ne duhet të kemi në dobi të vendit dhe brezave të ardhshëm”, tha zv.kryeministrja. /m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.