TIRANE, 11 Prill/ATSH/- Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë dhe ambasada e Libisë në Shqipëri, organizuan për herë të parë, forumin e biznesit “Shqipëri-Libi”.
Ky forum erdhi si nevojë dhe kërkesë e sipërmarrësve nga Libia për të njohur tregun tonë, ndërsa pjesëmarrës ishin sipërmarrës nga të dy vendet që i përkisnin kryesisht fushave të ndryshme si në ndërtim dhe infrastrukturë, imobiliare, agro turizëm dhe farmaceutikë.
Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Nikolin Jaka u shpreh se ky është një moment i rëndësishëm për ne për të vendosur marrëdhënie të reja tregtare në mes të dy vendeve tona.
Për këtë qëllim Dhoma e Tregtisë nënshkroi dhe marrëveshjen e bashkëpunimit me Unionin e Dhomave të Libisë.
“Është hera e parë që zhvillohet një forum i tillë biznesi me Libinë, dhe së dyti e konsideroj si një hap të rëndësishëm për ridimensionimin e marrëdhënieve tona në rrafshin ekonomik”, shpreh Jaka në fjalën e tij, duke shtuar se “si Dhomë e Tregtisë dhe Industrisë, gjykojmë se duhet promovuar fakti që Shqipëria ofron për bizneset libiane një kuadër ligjor të favorshëm dhe mundësi të shumta investimi dhe biznesi në energjetikë, infrastrukturë, transport dhe telekomunikacione”.
Jaka u shpreh i gatshëm për të punuar në rritjen e fluksit të informacionit për bizneset Libiane që duan të investojnë në Shqipëri.
“Gjithashtu nënshkrimi i marrëveshjes së bashkëpunimit me unionin e Dhomave të Libisë na vendos ne para një përgjegjësie të re për t’i dhënë një mundësi tjetër bashkëpunimit ekonomik, për hartimin e axhendave të përbashkëta, hartimin e projekteve konkrete, shkëmbime eksperiencash, pjesëmarrje reciproke ne panaire dhe ekspozita, që i shërbejnë nxitjes së shkëmbimeve tregtare dhe investimeve”, u shpreh kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë.
Nga ana e tyre drejtuesit e biznesit të Libisë, bënë një panoramë të shkurtër të situatës në këtë vend, duke shprehur se tej perceptimit mediatik, vendi është i qetë dhe biznesi po ecën me ritme të shpejta, duke bërë gjithashtu një ftesë për sipërmarrësit shqiptarë që të shkojnë në Libi dhe të shohin konkretisht se ku mund të bashkëpunojnë.
Po kështu nga ana e tij ambasadori i Libisë në Shqipëri, Miloud Alama u shpreh i gatshëm të japë çdo informacion për sipërmarrjen tonë dhe të bëjë të gjitha përpjekjet për t’i dhënë një dimension të ri bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve tona./a.gjonaj/ /a.g/














