Ballina Aktualitet

BERZH: TAP efekte pozitive në infrastrukturën energjetike

TIRANë, 11 Prill/ATSH/- Në Tiranë u prezantua sot “Raporti i Tranzicionit 2017-2018”, përgatitur nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko i pranishëm në prezantimin e këtij raporti theksoi se ka një vlerësim pozitiv mbi zhvillimet në rajon.

“Pas disa vitesh me rritje ekonomike anemike, tashmë rajoni shfaq një rigjallërim të aktivitetit ekonomik dhe prospektet mbeten pozitive, pavarësisht problemeve gjeopolitike dhe sfidave të brendshme e të jashtme me të cilat përballemi”, tha ai.

Në raport vlerësohet se investimi i TAP do të ketë efekte pozitive në infrastrukturën energjetike të vendit.

“Ne vlerësojmë se investimi i TAP do të ketë efekte pozitive në infrastrukturën energjetike dhe do të kontribuojë në rritjen e produktivitetit përmes kostove më të ulëta dhe mbulimit e nevojave për kapacitete energjetike, duke reduktuar kështu një nga dobësitë strukturore të ekonomisë shqiptare (furnizimin e besueshëm me energji)”, thuhet në raport.

Sipas Guvernatorit Sejko, inflacioni po kthehet gradualisht në nivelet e shënjestruara dhe rritja ekonomike e përshpejtuar në Ballkanin Perëndimor po mbështetet nga kreditimi i bankave dhe nga disa projekte madhore në infrastrukturë.

Sipas Guvernatorit, raporti vëren se rritja e produktivitetit është ngadalësuar dhe për këtë, dinamika e bizneseve private identifikohet si një nga problemet kryesore që duhet të shqetësojë rajonin tonë.

Ai renditi edhe disa nga faktorët që dhanë ndikim në këto zhvillime.

“Së pari, shkalla e ulët e tregjeve dhe bizneseve për t’u rigjeneruar frenon zëvendësimin e firmave joproduktive me kompani të reja inovative, dhe pengon një shpërndarje më eficiente të burimeve. Së dyti, bizneset e vogla nuk arrijnë të shtojnë prodhimin apo të zgjerojnë numrin e të punësuarve”, tha Sejko.

Banka e Shqipërisë, sipas kreut të BSH-së, vlerëson se zhvillimi i sistemit financiar është i domosdoshëm për zhvillimin ekonomik të vendit.

“Në këtë drejtim, nëpërmjet politikave tona, ne po përpiqemi të nxisim një shpërndarje më eficiente të kreditimit bankar, në mënyrë që të jetë sa më pak i fragmentarizuar apo i përqendruar në sektorë të caktuar të ekonomisë”, deklaroi ai.

Po kështu, ai tha se BSH po ndjek nga afër gjendjen financiare dhe hua-marrëse të ndërmarrjeve mikroekonomike, përfshirë këtu edhe ato në sektorin bujqësor.

Sipas anketimeve tona së fundmi, tha më tej Sejko, shqetësimet parësore për firmat e vogla janë konkurrenca e pandershme, vështirësitë për gjetjen e tregjeve për shitjen e produkteve, dhe më pak aksesi i kufizuar në financim apo kostoja e ofrimit të produkteve bankare.

Sejko sugjeroi domosdoshmërinë për vazhdimin e zbatimit të reformave strukturore, të cilat synojnë rritjen e shkallës së formalizimit të ekonomisë, si një instrument për rritjen e konkurrencës, për inkurajimin e konsolidimit, për përmirësimin e qeverisjes së bizneseve dhe për uljen e kostos së tyre të financimit.

Po ashtu, sipas tij, duhet të vijohet me reformat për nxitjen e hapësirave për zhvillimin e bizneseve në fusha ku rajoni dhe Shqipëria ofrojnë avantazhe konkurruese, si turizmi apo agro-industria, dhe në fusha të cilat kanë vlerë të shtuar të lartë, si teknologjia e informacionit apo shërbimet financiare.

Raporti gjithashtu evidenton se projektet dhe investimet në infrastrukturë kanë ndihmuar në rritjen e integrimit ekonomik të Shqipërisë me vendet e rajonit, duke dhënë një efekt pozitiv në produktivitet dhe rritjen e oportuniteteve. /a.gjonaj/ /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakShqipëri-Libi, marrëveshje për rritjen e bashkëpunimit ekonomik
Artikulli tjetërPublikohen dokumente mbi kohën e Luftës italo-shqiptare