TIRANË, 11 Prill/ATSH/- Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave në bashkëpunim me Fondacionin “Gramsci” në Puglia dhe Muzeun Historik Kombëtar zhvilluan sot Konferencën e katërt të studimeve të parashikuara nga projekti i Puglias 14-18.
Të pranishëm në këtë Konferencë ishin Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave Ardit Bido, Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar Dorian Koci dhe Natale Parisi, Drejtues i Fondacionit Gramsci.
Në kuadër të këtij projekti është hapur faqja www.puglia14-18.it ku janë hedhur të gjitha dokumentet digjitale mbi kohën e luftës italo-shqiptare.
Bido shprehu falenderimet për realizimin këtij bashkëpunimi shumë të hershëm me këtë fondacion për të rrëfyer pikërisht këtë raport të veçantë që Shqipëria dhe Italia kanë patur me njëri-tjetrin.
Gjithashtu falenderoi dhe Muzeun Historik Kombëtar që i është bashkëngjitur këtij bashkëpunimi, duke shprehur besimin se “në të ardhmen do të jetë pjesë integrale e këtij bashkëpunimi nëpërmjet projekteve të veçanta që kanë të bëjnë dhe me pasurinë e objekteve muzeale, të cilat e rrëfejnë historinë në formën e tyre”.
Konferenca e sotme tregon të gjithë dinamikën e Luftës së Parë Botërore, rolin e Italisë në zonat e pushtuara në Shqipëri, që ndoshta nuk janë trajtuar dhe aq shumë në të kaluarën. Kjo konferencë është mjaft e rëndësishme për të rrëfyer pikërisht historikun tonë të përbashkët.
/e.malaj/ /a.g/



























