TIRANË, 5 dhjetor/ATSH/ Ministri i Brendshëm, Sandër LLeshaj firmosi me homologun e tij kroat, Davor Božinović, një marrëveshje për forcimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë së kufijve të të dy vendeve.
Kjo marrëveshje midis Ministrisë së Brendshme të Republikës së Kroacisë dhe Ministrisë së Brendshme të Republikës së Shqipërisë mbi forcimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë së kufijve, pason atë të nënshkruar në 2014 mes qeverive të dy vendeve, për bashkëpunimin policor dhe synon luftë efikase kundër të gjitha kërcënimeve ndërkufitare.
Në marrëveshje parashikohen fushat e bashkëpunimit, strukturat përkatëse të zbatimit të saj, format e shkëmbimit të informacionit etj.
Sipas marrëveshjes, palët angazhohen të forcojnë bashkëpunimin reciprok me qëllim parandalimin e migracionit të parregullt dhe të kërcënimeve ndaj sigurisë së kufijve të vendeve pjesëmarrëse. Në të parashikohen operacione të përbashkëta dhe mbështetje logjistike reciproke.
Ministri Lleshaj ishte pjesë e delegacionit, kryesuar nga Kryeministri Edi Rama që zhvilloi një vizitë zyrtare në Kroaci, në kuadër të Samitit të Kryeministrave të Iniciativës së Europës Qendrore. Ata janë takuar gjithashtu me Kryetarin e Parlamentit kroat, Gordan Jandroković, si dhe me Kryeministrin e vendit, Andrej Plenković.
/m.m/e.caushi/

























