Ballina Kosova

Thaçi: Kushtetuta, themeli i shtetit tonë modern

PRISHTINË, 10 prill /ATSH/ – Kushtetuta e Kosovës është ndër më modernet në Europën Juglindore dhe mishëron vlerat e të drejtave të njeriut, të qytetarëve të barabartë, duke garantuar liritë qytetare dhe barazinë para ligjit.

Kështu theksoi sot Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në pritjen e organizuar nga Ministria e Drejtësisë me rastin e Ditës së Kushtetutës.

Thaçi tha se “një dekadë më parë kemi vendosur të ndërtojmë të ardhmen tonë, si një vend i lirë, demokratik dhe paqedashës, që u bë atdhe i të gjithë qytetarëve”.

“Dita e miratimit të Kushtetutës nuk ishte vetëm legjitimim i shtetësisë sonë, por edhe jetësim i një ideje, i një projekti dhe i ëndrrave të shumë gjeneratave që u flijuan dhe punuan për këtë ditë”, nënvizoi Thaçi.

Sipas tij, ajo ditë shënoi rrugën tonë të pandalshme për ndërtimin e një shteti demokratik, ku pronarë janë të gjithë qytetarët, pa dallime etnike dhe përkatësie fetare.

Kreu i shtetit tha se “dua t’i inkurajoj të gjithë për të zhvilluar një debat të brendshëm, në mënyrë që vendimet e marra për ndryshime kushtetuese të reflektojnë në të mirën e përgjithshme dhe konsensusin shoqëror e politik”.

Ndër ndryshimet kryesore që, sipas presidentit Thaçi i presin qytetarët e Kosovës, janë edhe ndryshimet e nevojshme për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, përfshirja e komunitetit kroat dhe atij malazez në Kushtetutën e Kosovës dhe ndryshimet që kërkohen për të përmbyllur reformën elektorale.

Presidenti Thaçi i dekoroi hartuesit e Kushtetutës së Republikës së Kosovës me “Medaljen Presidenciale të dhjetëvjetorit të Pavarësisë së Kosovës”. /k.s//r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakGREQI – Një tërmet me magnitudë 4,9 ballë Rihter godet brigjet e Egjeut
Artikulli tjetërFRANCË – Marrëveshje tregtare Paris-Riad me vlerë 18 miliardë dollarë